Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka marrë sot zyrtarisht detyrën e ministrit nga ish-ministri Orhan Murtezani, në ambientet e Ministrisë për Çështje Evropiane, raporton alfax.mk.

Me këtë rast, Sali ka shprehur mirënjohje për kontributin e paraardhësit të tij në proceset reformuese dhe integruese të vendit.

“Sot, në ambientet e Ministrisë për Çështje Evropiane, mora zyrtarisht detyrën e Ministrit për Çështje Evropiane nga ish-ministri Orhan Murtezani. Me këtë rast, e falënderova për angazhimin dhe kontributin e tij të deritanishëm në avancimin e proceseve reformuese dhe integruese të vendit”, ka shkruar Sali në Facebook.


Gjatë takimit mes dy zyrtarëve, fokusi ka qenë te vazhdimi i agjendës reformuese dhe dinamika e zbatimit të saj, në përputhje me standardet evropiane.

“Diskutuam për agjendën reformuese, e cila po zhvillohet në drejtimin e duhur dhe me një dinamikë të përshpejtuar, në përputhje me standardet dhe pritshmëritë evropiane”, thekson Sali.

Ai ka ritheksuar se integrimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet një nga prioritetet kryesore strategjike të Qeverisë, duke garantuar angazhim të vazhdueshëm institucional në këtë drejtim.
“Integrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet strategjik i Qeverisë, ndërsa angazhimi ynë do të jetë i palëkundur për përmbushjen e reformave të nevojshme dhe përshpejtimin e rrugëtimit evropian të vendit”, ka shkruar Sali.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com