Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se nuk do ta përfundojë karrierën e tij si lojtar derisa të shënojë golin e 1,000-të në karrierë.
40-vjeçari shënoi dy gola në fitoren 3-0 të Al-Nassr ndaj Al Akhdoud të shtunën, duke e çuar totalin e tij me klub dhe kombëtare në 956 gola.
Sulmuesi, i cili iu bashkua Al-Nassrit në vitin 2022, nënshkroi një kontratë të re dyvjeçare me klubin saudit korrikun e kaluar, kontratë që e mban atë në fushë përtej ditëlindjes së tij të 42-të.
Duke folur pasi u shpall “Lojtari më i Mirë i Lindjes së Mesme” në “Globe Soccer Awards” në Dubai të dielën, Ronaldo tha: “Është e vështirë të vazhdosh të luash, por jam i motivuar. Pasioni im është i lartë dhe dua të vazhdoj. Nuk ka rëndësi ku luaj, qoftë në Lindjen e Mesme apo në Europë. Gjithmonë e shijoj futbollin dhe dua të vazhdoj. E dini cili është qëllimi im. Dua të fitoj trofe dhe dua të arrij atë numër [1,000 gola] që ju të gjithë e dini. Do ta arrij me siguri, nëse nuk kam dëmtime”.
Në një intervistë me Piers Morgan muajin e kaluar, Ronaldo kishte thënë se planifikon të tërhiqet nga futbolli “së shpejti”.
“Mendoj se do të jem i përgatitur. Do të jetë e vështirë, sigurisht. Me shumë gjasa do të qaj,” tha Ronaldo.
Ronaldo ka shënuar 13 gola në 14 paraqitje këtë sezon për Al-Nassr, të cilët kryesojnë tabelën e Saudi Pro League me katër pikë diferencë.
Pavarësisht rekordit të tij prej 112 golash në 125 ndeshje, Al-Nassr ka fituar vetëm një trofe që nga ardhja e tij: Arab Club Champions Cup në vitin 2023.
Ronaldo mban rekordin për numrin më të madh të golave me Portugalinë (143) dhe Real Madridin (450), dhe është lojtari i vetëm që ka shënuar mbi 100 gola për katër klube: Manchester United, Real Madrid, Juventus dhe Al-Nassr.
Sulmuesi deklaroi në nëntor se Kupa e Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë do të jetë turneu i tij i fundit ndërkombëtar.
Ai ishte kapiten i Portugalisë në triumfin në Euro 2016 në Francë, trofeu i parë ndërkombëtar për kombëtaren portugeze të meshkujve.