Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pranuar edhe një herë dështimin e tij në krye të LDK-së. Edhe pse ka thënë se po përballet me kohë reflektimi, vendimmarrje e reflektimi, Abdixhiku nuk ka sqaruar përfundimisht nëse ka dhënë apo jo dorëheqje nga posti, siç po raportohet. Këtë ka thënë se do ta bëjë “me kohë e në vendin e duhur”.

“Ky vit po mbyllet ndryshe nga sa kemi shpresuar. Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai që synova e synuam; ishte i dhimbshëm për shumë prej nesh. Por është verdikti i qytetarëve tanë, dhe para këtij vendimi përulemi me respekt. Në këtë fundvit, dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që besuan, që punuan, që sakrifikuan kohë, familje, energji dhe zemër për LDK-në dhe për rrugën që besuam bashkë. E di që shumë prej jush ndiheni të zhgënjyer sot; edhe unë jam një prej jush. Por besimi ynë në Kosovë, në demokraci dhe në të ardhmen nuk duhet të shuhet kurrë. Ky është edhe një vit reflektimi personal. Kam bërë gjithçka që kam ditur dhe mundur, me ndershmëri dhe me përkushtim. Ndonjëherë, edhe kur jep maksimumin, nuk mjafton; dhe këtë e pranoj me dinjitet. Përpara nesh është një kohë reflektimi, vendimmarrjeje dhe përgjegjësie. Me kohë e në vendin e duhur, siç na mëson dinjiteti e përgjegjësia politike, do t’i shpalosi të gjitha. Çfarëdo që sjell e nesërmja, unë do të jem gjithmonë në shërbim të vendit tim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook të mërkurën.

Për Vitin e Ri, Abdixhiku ka uruar vit më të butë, më njerëzor e më të drejtë.


LDK-ja e Abdixhikut doli e treta në zgjedhjet e shkurtit me rreth 17 për qind, por pësoi humbje të rëndë në zgjedhjet e 28 dhjetorit duke dalë sërish e treta, por tash me vetëm 13 për qind e duke humbur pesë ulëse në Kuvend.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com