Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në një intervistë për emisionin “Agrar”, theksoi se përmes fushatës “Më e mira e Maqedonisë” vihet në pah rëndësia e prodhuesve vendorë të ushqimit dhe kontribuohet në rritjen e prodhimit të produkteve bujqësore cilësore. Me këtë fushatë do të mbështetet ekonomia vendore, do të ruhen vendet e punës, ndërsa njëkohësisht do të forcohet edhe identiteti.

“Çelësin e shoh në rritjen e sasisë së prodhimit bujqësor. Bujqit do të jenë të kënaqur sepse me një sasi më të madhe të shitur për njësi çmimi realizohet të ardhurë më e lartë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me tregun vendor, por edhe me eksportin e produkteve bujqësore”, sqaroi Tripunovski.

Ai theksoi se, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në periudhën janar–tetor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, eksporti i produkteve bujqësore është rritur për 5,5 për qind, gjë që tregon për rritje të prodhimit bujqësor në vend.

“Në tremujorin e dytë dhe të tretë kemi rritje serioze të grumbullimit dhe shitjes së produkteve bujqësore”, shtoi ai.

Ministri Tripunovski paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të punohet në masa dhe politika me qëllim që viti 2026 të jetë edhe më i suksesshëm se viti 2025, duke theksuar se produkti bujqësor maqedonas është cilësor dhe meriton vendin e tij në raftet evropiane dhe botërore.

“Të dhënat për eksportin janë inkurajuese dhe paraqesin një motiv shtesë për të vazhduar me përkushtim edhe më të madh”, përfundoi ministri.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com