Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar dy cisterna ruse nafte. Mediat ndërkombëtare raportojnë se bëhet fjalë për cisternat Marinera dhe Sophia. E para u ndalua në Atlantikun e Veriut, e dyta në Karaibe. Të dyja u sanksionuan nga SHBA-ja, duke përmendur “aktivitete të paligjshme” si shkak të bllokadës.

Moska u përgjigj menjëherë: “Hyrja në anijen Marinera nga forcat amerikane shkel Konventën e OKB-së të vitit 1982 mbi Ligjet e Detit”, denoncoi Ministria Ruse e Transportit, duke shtuar: “Më 24 dhjetor 2025, cisterna kishte marrë një leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin kombëtar të Federatës Ruse, të lëshuar në bazë të legjislacionit rus dhe ligjit ndërkombëtar”.

E bllokuar në brigjet e Evropës kontinentale, Marinera, më parë Bella 1, akuzohet nga Shtëpia e Bardhë për shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe transportim të naftës bruto iraniane. Ajo kishte qenë prej kohësh në shënjestër të Uashingtonit, me një përpjekje për t’u hipur në anije muajin e kaluar, por anija ndryshoi kurs, si dhe emrin dhe flamurin e saj (nga gujanezë në rus). Operacioni u drejtua nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së. Përpjekjet e Rusisë për të mbrojtur anijen ishin të kota, pasi Kremlini kishte dërguar anije detare dhe një nëndetëse për të “shoqëruar” Marinera-n.

Ndërkohë anija tjetër e naftës e sekuestruar M/T Sophia, sipas mediave amerikane, po valëviste në mënyrë të rreme flamurin e Kamerunit, megjithëse në të vërtetë ishte rus. Sipas Uashingtonit, Sophia ishte gjithashtu pjesë e të ashtuquajturës “flotë në hije” dhe i nënshtrohej sanksioneve njësoj si Marinera. Sipas Komandës Jugore të SHBA-së, Roja Bregdetare e SHBA-së po e shoqëron anijen Sophia në SHBA.

Ndërkohë duke pasur parasysh klimën në rritje të tensionit në Venezuelë dhe nga frika e një eksodi të emigrantëve drejt territorit të saj, Kolumbia ka vendosur mbi 30,000 anëtarë të Forcave të Armatosura përgjatë kufirit me Republikën Bolivariane. Masa, e urdhëruar nga Presidenti Gustavo Petro, përfshin përdorimin e tankeve, patrullave dhe një Poste të Unifikuar Komanduese në Cucuta , gjithashtu në përgjigje të kthimit të mundshëm të grupeve të armatosura si disidentët ELN dhe FARC. (A2 Televizion)

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume