Kallëzim penal ndaj katër personave për aksidentin fatal në Shkup – dy të arrestuar, në kërkim 18-vjeçari dhe babai i tij
SPB Shkup ka ngritur kallëzim penal ndaj katër personave lidhur me aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi dje rreth orës 11:30 në rrugën “Naroden Front” në Shkup, ku një automjet goditi për vdekje një grua 79-vjeçare dhe u largua nga vendi i ngjarjes raporton Tetovasot.
Sipas policisë, automjeti udhëtarësh “Volkswagen Passat” me targa të Shkupit, i drejtuar nga S.S. (18) nga Shkupi, ka goditur këmbësoren L.J. (79), e cila ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa shoferi është larguar menjëherë nga vendi i aksidentit.
Pas denoncimit, policia ka ndërmarrë masa intensive për identifikimin e autorit dhe automjetit. Përmes sistemit të kamerave “Qyteti i Sigurt”, kamerave të objekteve përreth dhe deklaratave të dëshmitarëve, është konstatuar se automjeti është në pronësi të B.S. (45) nga Shkupi, ndërsa drejtohej nga djali i tij, S.S. (18).
Automjeti është gjetur para shtëpisë së pronarit, ku është hasur S.S. (69), i cili është shoqëruar në stacion policor për bisedë zyrtare. Nga hetimet është konstatuar se shoferi S.S. (18) dhe babai i tij B.S. (45), me ndihmën e Sh.P. (45) dhe A.J. (53) nga Shkupi, e kanë lëshuar shtetin gjatë ditës së djeshme.
Personat Sh.P. dhe A.J. janë privuar nga liria dhe ndaj tyre është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup për veprën penale “ndihmë kryerësit pas kryerjes së veprës penale”, sipas nenit 365 paragrafi 2, në lidhje me nenet 300 dhe 301 të Kodit Penal.
Ndërkohë, ndaj S.S. (18) është ngritur kallëzim penal për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”, si dhe për “mosdhënie ndihme personit të lënduar në aksident trafiku”. Policia po ndërmerr masa për gjetjen e tij dhe të babait të tij B.S. (45), për të cilët është shpallur urdhër-arrest.
Janë gjetur dhe konfiskuar si automjeti “Volkswagen Passat” me të cilin është shkaktuar aksidenti fatal, ashtu edhe automjeti “Mercedes” me të cilin dyshuarit kanë lëshuar vendin. Të dy mjetet janë sekuestruar, ndërsa prokurori publik është njoftuar për veprime të mëtejshme procedurale.Tetovasot