Situata në fshatin Bashaj të Bashkisë Selenicë mbetet problematike edhe këtë të shtunë, pasi rrëshqitjet e dheut nga masivi malor kanë vazhduar, duke bërë zonën të pakalueshme.
Rruga që lidh fshatin me zonat përreth është bllokuar plotësisht, duke izoluar banorët. Lëvizja është e pamundur, ndërsa komuniteti përballet me vështirësi të mëdha për furnizim me ushqime, shërbime shëndetësore dhe ndihmë emergjente.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e masivit të dheut. Ekspertët paralajmërojnë se rreziku mbetet i pranishëm dhe situata mund të përkeqësohet nëse kushtet e motit vijojnë të jenë të pafavorshme.
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile po monitorojnë situatën dhe janë të gatshme për ndërhyrje, me qëllim garantimin e sigurisë dhe qarkullimit në zonë.