Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka mbajtur një fjalim pas shpalljes së rezultateve zgjedhore në Gostivar dhe Vrapçisht, duke përgëzuar fitoret e kandidatëve Valbon Limani dhe Isen Shabani dhe duke theksuar se ata do të qeverisin për të gjithë qytetarët, pa dallime politike apo etnike.

Në fjalën e tij, Ahmeti u dërgoi një mesazh të qartë edhe qytetarëve që nuk i kanë votuar kandidatët fitues, duke nënvizuar se kryetarët e rinj janë në shërbim të të gjithëve. “Valboni dhe Iseni janë të të gjithë qytetarëve dhe do të punojnë për të gjithë, pa dallim,” theksoi Ahmeti, raporton TS.

Ai foli edhe për sfidat e procesit zgjedhor, duke përmendur se në këto zgjedhje janë përdorur forma të ndryshme presioni dhe sabotimi, përfshirë edhe bojkotin në rrethin e parë, me qëllim që të pengohej fitorja. Megjithatë, sipas tij, përkushtimi, bashkimi dhe ruajtja e besës së dhënë ndaj qytetarëve ishin vendimtare për triumfin.

“Dua të ndaj një shqetësim që nuk e kam thënë asnjëherë gjatë këtij procesi zgjedhor. Dhe si gjithmonë, në këto komuna, si Gostivari dhe Vrapçishti, janë përdorur metoda të vjetra, që na është bërë me hile. Përveç kësaj, është përdorur edhe inxhinieringu, ashtu si në disa komuna të tjera. Këtu është përdorur edhe një mjet tjetër sabotazhi – bojkoti, me qëllim që ne të mos triumfonim në rethin e parë të zgjedhjeve”, theksoi Ahmeti.

Në fund të fjalimit, lideri i BDI-së uroi suksese për ekipet fituese dhe shprehu bindjen se drejtimi i ri i komunave do të jetë në shërbim të interesit të përgjithshëm dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Fjalimi i Ali Ahmetit u prit me duartrokitje nga të pranishmit, duke reflektuar atmosferën e fitores dhe pritshmëritë për një qeverisje gjithëpërfshirëse në Gostivar dhe Vrapçisht./TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com