Babë e bir shqiptarë plagosen me armë zjarri në Athinë, sulm ndaj një sufllaqerie në Agios Dimitrios
Babë e bir, pronarë të një sufllaqerie, mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri të ndodhur në orët e para të mëngjesit në zonën Agios Dimitrios të Athinës. Mediat greke bëjnë me dije se të plagosurit janë pronari 70-vjeçar dhe djali i tij 39-vjeçar, të dy me origjinë shqiptare.
Sipas informacioneve paraprake, tre persona mbërritën me makinë rreth orës 02:40 pranë biznesit të ndodhur në rrugën Agoniston Polytechneiou dhe hapën zjarr në drejtim të tyre. Pronari 70-vjeçar u qëllua në këmbë, ndërsa djali i tij u plagos në kofshë dhe në pulpë.
Në vendngjarje, forcat e policisë gjetën dhe sekuestruan katër gëzhoja, ndërsa autorët u larguan menjëherë me makinë në drejtim të panjohur. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë marrë përsipër nga policia kriminale greke.