Fabian Ruiz, kontrata e të cilit me Paris Saint-Germain skadon në qershor të vitit 2027, mund të largohet nga Franca më herët sesa pritej. Edhe pse prej kohësh situata e tij është ndjekur nga klube si Atletico Madrid dhe Galatasaray, orët e fundit në garë është futur edhe Real Madridi.
“Los Blancos” po kalojnë një sezon të vështirë në repartin e mesfushës. Pas largimeve të Luka Modric dhe Toni Kroos, skuadra nuk ka arritur të gjejë zëvendësues të besueshëm që të kontrollojnë ritmin e lojës dhe të ofrojnë kreativitet.
Në Paris janë të vendosur të mos përsërisin gabimet e së kaluarës. Edhe pse mesfushorit spanjoll i mbetet ende mbi një vit kontratë, drejtuesit e PSG-së besojnë se ky është momenti ideal për të vepruar. Fabian Ruiz nuk është titullar i padiskutueshëm në planet e stafit teknik dhe vlera e tij në treg mbetet mjaft e lartë për të realizuar një shitje të rëndësishme.
Qëllimi i klubit francez është i qartë: Të arkëtojë një shumë të konsiderueshme përpara se rreziku i largimit pa pagesë të bëhet real. Skenari i hyrjes së lojtarit në vitin e fundit të kontratës pa rinovim është diçka që PSG dëshiron ta shmangë me çdo kusht, ndaj kontaktet me disa klube evropiane janë intensifikuar.
Në “Santiago Bernabeu” pranohet se tranzicioni në mesfushë nuk ka qenë aspak i lehtë. Largimi i dy figurave legjendare si Modric dhe Kroos ka lënë një boshllëk të madh, jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në lidership.
As Tchouameni e as Camavinga nuk kanë marrë rolin e dirigjentit të lojës, ndërsa Valverde spikat më shumë për energjinë dhe forcën fizike sesa për organizimin e ritmit.
Në këtë kontekst, Fabian Ruiz shihet si një zgjidhje e menjëhershme. Në moshën 29-vjeçare, reprezentuesi i Spanjës ofron përvojë, qetësi me topin dhe aftësi të lartë për të thyer linjat kundërshtare me pasime vertikale.
Njohja e plotë e La Ligës është një tjetër avantazh i madh, që do ta lehtësonte përshtatjen e tij. Për Xabi Alonson, profili i tij përputhet në mënyrë ideale me idenë e rindërtimit të një mesfushe më të balancuar dhe dominuese.
Megjithatë, transferimi nuk pritet të jetë i lehtë. PSG është e vetëdijshme për interesimin e disa klubeve dhe nuk ka ndërmend ta lëshojë lojtarin për një shifër të ulët.
Sidoqoftë, pesha sportive e Real Madridit dhe mundësia për t’u rikthyer në qendër të vëmendjes në Spanjë mund të jenë faktorët vendimtarë që ta anojnë peshoren në favor të klubit madrilen, i cili e sheh Fabian Ruiz si një pjesë kyçe të projektit të ri në mesfushë.