Kreu i integristëve, Ali Ahmeti, pas takimit të liderëve politikë, ka deklaruar se ideja e kryeministrit Hristijan Mickoski për shfuqizimin e qeverisë teknike nuk mund të procedohet pa konsultime paraprake me faktorët ndërkombëtarë transmeton Tetovasot.
Ahmeti theksoi se qeveria teknike është produkt i Marrëveshjes së Përzhinës dhe se çdo ndryshim lidhur me këtë model duhet të diskutohet edhe me bashkautorët e saj.
“Sa i takon qeverisë teknike, qëndrimi ynë është se duhet të konsultohemi edhe me bashkautorët e sjelljes së këtij ligji, BE-në dhe SHBA-në”, tha Ahmeti.
Duke folur për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, Ahmeti bëri të ditur se BDI tashmë ka paraqitur propozimet e saj dhe shprehu qëndrim të qartë për reformën zgjedhore.
“Ne pajtohemi me një zonë zgjedhore, me prag prej 5 për qind dhe me lista të hapura. Tani mbetet kjo çështje për diskutime të mëtejme”, deklaroi Ahmeti.
Sa i përket sigurimit të shumicës së dyfishtë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Ahmeti kritikoi mënyrën se si është vepruar deri më tani, duke e cilësuar procesin si arbitrar.
“Nuk janë bërë konsultat e nevojshme, por është vepruar në mënyrë arbitrare. Demokracia konsensuale ka rregullat e veta”, theksoi ai, duke shtuar se koordinatorët e grupeve parlamentare duhet të zhvillojnë konsultime shtesë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume