Kërkonte ryshfet prej 100 euro për të fshirë dënimin – kapet në flagrancë i punësuari i Gjykatës në Gostivar nga TetovaSot (VIDEO)
Tetovasot, përmes gazetarit Nevrij Ademi, ka zbuluar një rast flagrant korrupsioni të një të punësuari në Gjykatën Themelore të Gostivarit, i cili kërkonte ryshfet prej 100 eurosh për të fshirë një dënim.
I punësuari nuk ishte në dijeni se kishte rënë në kurthin e gazetarit, i cili fillimisht kishte komunikuar me të përmes telefonit, duke lënë takim për dorëzimin e parave, e më pas e zbuloi publikisht gjithë procesin e kësaj tentative zhvatjeje, duke e takuar drejtpërdrejt.
Sipas marrëveshjes paraprake, i dyshuari garantonte fshirjen e një dënimi në vlerë prej 200 eurosh, nëse do të paguheshin 100 euro. Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, duke nxjerrë në pah edhe njëherë arsyet pse besueshmëria në gjyqësor ka rënë ndjeshëm, pikërisht për shkak të rasteve të tilla.
Gazetari i Tetovasot dhe i punësuari në Gjykatë kanë biseduar në telefon për rastin në fjalë dhe janë dakorduar për lokacionin e takimit. Gjatë takimit, i punësuari e kuptoi se kishte rënë në kurth dhe se personi me të cilin po takohej ishte gazetar. Ai u përpoq t’i shmangej përgjegjësisë, duke mohuar se ishte personi me të cilin ishte lënë takimi për dorëzimin e 100 eurove.
I pyetur nga gazetari se sa persona i kishte mashtruar në këtë mënyrë, ai u përgjigj: “Asnjë”. Po ashtu, kur u pyet nëse e dinte se veprimi i tij përbënte vepër penale, qëndrimi i tij mbeti thuajse i ngrirë. Gazetari e pyeti edhe për arsyen pse kishte kërkuar këtë shumë parash për të fshirë një dënim, pa marrë një përgjigje konkrete.
Pas mbledhjes së të gjitha dëshmive, gazetari e ka paraqitur rastin në Sektorin për Punë të Brendshme, përkatësisht në Departamentin e Punëve të Brendshme në Gostivar. Vlen të theksohet profesionalizmi i inspektorëve të policisë, të cilët nuk hezituan të veprojnë dhe të bashkëpunojnë për zbardhjen e këtij rasti të dyshuar korrupsioni nga ana e një të punësuari në Gjykatën Themelore në Gostivar.
I dyshuari aktualisht ndodhet në stacion policor, ku po jep versionin dhe deklaratën e tij lidhur me arsyet pse ka kërkuar ryshfet për kryerjen e një veprimi zyrtar.
Institucionet ku qytetarët duhet të gjejnë drejtësi, në raste të tilla shndërrohen në vende ku kërkohet pagesë për fshirjen e dënimeve apo zgjidhjen e çështjeve të tjera. Në Gjykata ka edhe njerëz që punojnë me ndershmëri dhe dinjitet, por raste të tilla dëmtojnë rëndë imazhin e një institucioni që duhet të jetë shtyllë e drejtësisë.