Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një paraqitje televizive deklaroi se perceptimi i qytetarëve për punën e MPB-së, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, ka shënuar rritje dyshifrore, që sipas tij është rezultat i drejtpërdrejtë i aktiviteteve të intensifikuara dhe rezultateve të arritura gjatë një viti e gjysmë deri dy viteve të fundit informon Tetovasot.

Duke prezantuar të dhëna krahasuese për veprat penale nga fusha e korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik për periudhën 2023–2025, Toshkovski bëri të ditur se në vitin 2023 janë zbuluar 126 vepra penale, në vitin 2024 – 206, ndërsa në vitin 2025 – 290 vepra penale, që paraqet rritje prej rreth 130 për qind. Sipas tij, këto shifra korrespondojnë plotësisht me perceptimin e qytetarëve se MPB po zhvillon një luftë serioze dhe jo selektive kundër korrupsionit.

Sa i përket numrit të kryerësve, në vitin 2023 janë evidentuar 185 persona, në vitin 2024 – 363, ndërsa në vitin 2025 janë zbuluar 678 persona të lidhur me vepra penale korruptive. Bëhet fjalë për vepra të kryera në vitet e kaluara, por të zbuluara në vitin 2025, për të cilat janë ngritur kallëzime përkatëse penale.

Ministri theksoi se më impresionuese janë shifrat që lidhen me dëmin ndaj buxhetit shtetëror. Në vitin 2023, kallëzimet penale janë referuar për një dëm prej 5.7 milionë euro, në vitin 2024 për 24 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 për plot 380 milionë euro, që paraqet rritje prej rreth 66 herë krahasuar me vitin 2023.

Toshkovski theksoi se këto rezultate janë produkt i një qasjeje institucionale dhe pune të koordinuar jo vetëm të MPB-së, por edhe të institucioneve të tjera kompetente në zbulimin e korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Policinë Financiare.

Duke folur për gjendjen e përgjithshme të sigurisë, ministri deklaroi se viti 2025 paraqet vitin më të mirë historik në 20 vitet e fundit për nga numri i veprave penale të kryera, me gjithsej 17.972 vepra të regjistruara. Po ashtu, shkalla e zbardhjes së krimeve arrin në 67.2 për qind, që është përqindja më e lartë në dy dekadat e fundit.

Në fund, Toshkovski u shprehu falënderim publik punonjësve të policisë për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe të gjitha formave të kriminalitetit do të vazhdojë me të njëjtin intensitet, ndërsa vëmendja e publikut në periudhën në vijim me të drejtë do të përqendrohet edhe te puna e prokurorisë dhe gjyqësorit, si hallka kyçe në sistemin e sundimit të ligjit.TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com