Arrestohet në Kosovë 69-vjeçari nga Maqedonia e Veriut, dyshohet se vidhte kuleta me para në kamionë të parkuar
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një 69-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet për disa raste të vjedhjeve përgjatë vitit të kaluar.
Sipas Policisë, i njëjti dyshohet për vjedhje të portofolave me para nga kamionët e parkuar, shkruan Reporteri.net.
“I dyshuari me vendim prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, ndaj tij për veprat (së paku tri vjedhje) të raportuara në rajonin e Lipjanit, po kryhen procedurat e nevojshme hetimore”, theksohet në njoftim.
Bazuar në informacionet e deritanishme, të siguruara nga hetuesit policor i njëjti person dyshohet se ka kryer vepra penale të natyrës së njëjtë edhe në rajone të tjera të Kosovës, për të cilat Policia thotë se po ndërmerren veprime të mëtutjeshme policore./Reporteri.net