Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Ola Sohlström, në të cilin u diskutua për avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mjedisit jetësor dhe mbështetjen për procesin e integrimit evropian të vendit.
Ministri Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia ofron përmes projekteve të shumta në fushën e mjedisit jetësor, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në harmonizimin me standardet evropiane dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Me këtë rast, u theksua se Suedia është donatori i tretë më i madh i Ministrisë, pas Bashkimit Evropian dhe Zvicrës.
Gjatë takimit u prezantuan projektet e përbashkëta aktuale dhe të planifikuara, me theks të veçantë në menaxhimin e mbeturinave, forcimin e kapaciteteve institucionale për Kapitullin 27 dhe aktivitetet për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Vëmendje e posaçme iu kushtua iniciativave rajonale dhe kombëtare për përballjen me ndotjen e ajrit, përfshirë projektin “Përballja me ndotjen e ajrit”, i cili zbatohet me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) dhe UNDP-së.
Ministri Hoxha riafirmoi përkushtimin e Ministrisë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Suedisë, në drejtim të mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe përshpejtimit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume