Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi një takim me Ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.T. Christoph Sommer, gjatë të cilit u shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin dypalësh aktual dhe të ardhshëm në fushën e mjedisit jetësor.
Në takim, ministri Hoxha shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të rëndësishme që Zvicra i ofron vendit për më shumë se tri dekada, duke theksuar se ajo është një nga donatorët bilateralë më të mëdhenj dhe një partner kyç në proceset reformuese, veçanërisht në sektorët e ujërave, menaxhimit të mbetjeve, natyrës dhe qëndrueshmërisë klimatike.
U shqyrtuan projektet në vijim të mbështetura nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), përfshirë projektet për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta, menaxhimin e ujërave nëntokësore, mbrojtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve, si dhe forcimin e qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të ndërmarrjeve komunale.
Ministri Hoxha konfirmoi angazhimin e Ministrisë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Zvicrën, në drejtim të harmonizimit me standardet evropiane, menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.
Ambasadori Sommer rikonfirmoi mbështetjen e Zvicrës për proceset reformuese në Maqedoninë e Veriut dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e partneritetit përmes Programit të Bashkëpunimit 2025–2028.

