Në rrethana normale, në shumë familje kujdesi për të moshuarit konsiderohet amanet dhe përgjegjësi morale. Por rasti që po sjell sot portali TETOVASOT (TS) me gazetarin Nevrij Ademi tregon një realitet krejt ndryshe, ku sakrifica shumëvjeçare përfundon me humbje të pronës dhe pasiguri jetësore.
Bëhet fjalë për një zonjë nga rajoni i Gostivarit, e cila për më shumë se tri dekada u kujdes për të gjithë të moshuarit e familjes, si nga ana e nënës ashtu edhe e babait. Si shenjë mirënjohjeje për këtë përkushtim të vazhdueshëm, tezia e saj i dhuroi shtëpinë ku ajo jetonte dhe punonte prej 33 vitesh. Sot, kjo pronë pretendohet dhe është kaluar në emër të djalit të dajës, i cili paraqitet si trashëgimtar i saj.
Sipas dëshmisë së zonjës, pas vdekjes së dajës së saj, babai i saj u përfshi në listën e trashëgimisë familjare. Megjithatë, gjatë verifikimit të pronës në sistemin kadastral, ajo ka konstatuar se prona për të cilën posedon dokumentacion të rregullt nuk figuron më në emrin e saj, çka ngre dyshime serioze për mënyrën e përpunimit dhe transferimit të pronësisë.
Në këtë rast përmendet emri i Mirsat Nuredinit, djali i dajës nga martesa e parë, si përfitues i pronës. Po ashtu, përmenden edhe institucione dhe persona konkretë – noterë, avokatë dhe zyrtarë – për të cilët pretendohet se kanë qenë të përfshirë në procedura të dyshimta dokumentare.
Pavarësisht se zonja posedon dokumente që, sipas saj, vërtetojnë pronësinë, ajo është nxjerrë nga shtëpia pa asnjë njoftim zyrtar, pa ftesë apo vendim të dorëzuar. Nxjerrja është bërë në prani të policisë, ndërsa sendet personale të saj janë hedhur jashtë dhe dëmtuar. Aktualisht, ajo gjendet pa strehë, duke përjetuar pasoja të rënda psikologjike.
Ky rast, sipas familjarëve dhe mbështetësve të saj, përbën një shembull shqetësues të dyshimeve për abuzim institucional dhe korrupsion, përmes të cilave mund t’i merret dikujt prona dhe mundi i një jete të tërë.
Portali TETOVASOT, në kuadër të misionit të tij për informim të drejtë dhe transparent, do ta ndjekë këtë rast deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. I bëhet thirrje institucioneve kompetente, përfshirë organet e drejtësisë dhe Zyrën e Kadastrës në Gostivar, që të hetojnë procedurat mbi të cilat prona ka kaluar nga tezja te djali i dajës, si dhe rolin e noterit, gjykatësit dhe avokatëve të përfshirë.
Drejtësia dhe e vërteta mbeten kërkesa kryesore e kësaj zonje, me shpresën që ajo të rikthehet në shtëpinë ku ka jetuar dhe sakrifikuar për më shumë se 30 vjet.
Poashtu vlen të theksohet se pas publikimit të lajmit të djeshëm, e kapjes në flagrancë të të punësuarit në gjykatën e Gostivarit, redaksia jonë ka marrë dhjetëra thirrje dhe mesazhe mbështetjeje nga qytetarë të shumtë. Për këtë arsye, rikujtojmë se numri 071-299-394 mbetet i hapur për raportimin e rasteve që lidhen me institucionet shtetërore, keqpërdorimet, korrupsionin apo padrejtësi të tjera që shqetësojnë qytetarët./TS