Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka kritikuar ashpër mënyrën e implementimit të projektit “Safe City”, duke vlerësuar se ai nuk po shërben për rritjen e sigurisë publike, por për, siç tha, penalizimin dhe zhvatjen e një kategorie të caktuar qytetarësh.

Në një reagim publik, Sela thekson se shpërndarja e kamerave dhe zbatimi i projektit janë përqendruar kryesisht në komuna me shumicë shqiptare, si Shkupi, Kumanova dhe Tetova, si dhe në zona hyrëse-dalëse të shqiptarëve drejt kryeqytetit.

“Shpërndarja e kamerave në Shkup është e përqendruar në Çair, Saraj dhe Butel, zona me shumicë shqiptare, ndërkohë që mungojnë investimet elementare në infrastrukturë rrugore,” ka deklaruar Sela.

Ai ka ngritur shqetësime lidhur me mungesën e semaforëve, sinjalistikës rrugore dhe parkingjeve, duke theksuar se në këto kushte vendosja e kamerave dhe shqiptimi i gjobave përbën padrejtësi ndaj qytetarëve.

“Pa semaforë, por me kamera; pa parkingje, por me gjoba; pa sinjalistikë, por me dënime të larta – kjo nuk është siguri, por eksploatim,” ka theksuar lideri i Aleancës për Shqiptarët.

Sela ka lidhur këtë qasje edhe me gjendjen financiare të shtetit, duke përmendur se Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthejë rreth 2 miliardë euro kredi, të cilat, sipas tij, po tentohen të mbulohen përmes barrës mbi qytetarët në zonat më pak të investuara.

Duke iu përgjigjur kritikave të mundshme, Sela ka theksuar se qëndrimet e tij nuk kanë konotacion etnik, por burojnë nga nevoja për të thënë të vërtetën. Ai ka nënvizuar se Aleanca për Shqiptarët nuk ka heshtur dhe nuk do të heshtë përballë, siç i cilësoi, padrejtësive institucionale.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com