Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ndaj qëndrimit të koalicionit opozitar AKI lidhur me Ligjin për “Safe City”, duke e akuzuar atë për ndryshim qëndrimi dhe humbje të ndikimit politik në Kuvend.
Në një deklaratë publike, Azizi thekson se AKI kishte qenë e gatshme ta votonte Ligjin për “Safe City”, fakt që, sipas tij, është dëshmuar nga deklaratat e deputetëve të BDI-së dhe qëndrimet e shprehura nga Ali Ahmeti pas takimeve të liderëve politikë.
“Sot AKI e humbi edhe shumicën e Badenterit dhe u bë e qartë se nuk ka më peshë politike as në numra parlamentarë, as në ndikim politik, ashtu siç e humbi peshën elektorale në zgjedhjet lokale,” ka deklaruar Azizi.
Ai ka theksuar se zgjedhja e Avokatit të Popullit është bërë me shumicë Badenteri edhe pa votat e AKI-së, duke e cilësuar këtë si dëshmi të defaktorizimit të këtij koalicioni në proceset parlamentare.
Sipas Azizit, për të mbuluar këtë humbje, AKI ka ndryshuar qëndrim ndaj Ligjit për “Safe City”, duke u përpjekur, siç tha, të përfitojë politikisht përmes retorikës populiste.
“Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen e jetës, parandalimin e aksidenteve dhe reduktimin e vdekjeve tragjike në rrugët tona. Këtë e di edhe AKI-ja dhe këtë e ka deklaruar edhe vetë deri sot,” ka përfunduar Azizi./TS