Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me faktin se Maqedonia e Veriut nuk është përfshirë në nismën ndërkombëtare “Board of Peace”, të inicuar nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, ku tashmë janë përcaktuar vendet pjesëmarrëse në rajonin e Ballkanit.

Fakti që Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Turqia janë ftuar të jenë pjesë e kësaj platforme, ndërsa Maqedonia e Veriut renditet në listën e vendeve që as nuk janë ftuar, përbën një sinjal serioz alarmi për pozitën ndërkombëtare dhe kredibilitetin diplomatik të shtetit tonë.

Ky përjashtim nuk mund të shihet si rastësi. Ai reflekton qartë mungesën e peshës politike dhe të ndikimit diplomatik të qeverisë aktuale në skenën ndërkombëtare, si dhe dështimin për ta pozicionuar Maqedoninë e Veriut si faktor stabiliteti dhe partner të besueshëm në nismat rajonale dhe globale të sigurisë.

Aleanca për Shqiptarët kërkon sqarim urgjent nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme: pse Maqedonia e Veriut nuk është ftuar në këtë nismë? A ka pasur komunikim zyrtar dhe përpjekje diplomatike për përfshirje, dhe cilat mund të jenë pasojat politike dhe strategjike të këtij përjashtimi për vendin?

Në një kohë kur “Board of Peace” synon ndërtimin e një platforme bashkëpunimi politik dhe sigurie, përjashtimi i Maqedonisë së Veriut – së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – po lexohet gjerësisht si një mesazh i qartë gjeopolitik për rolin periferik ku po shtyhet vendi ynë.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Maqedonia e Veriut ka kapacitete, përvojë dhe përgjegjësi për të qenë pjesë e çdo mekanizmi serioz për paqe dhe siguri në rajon. Por kjo kërkon diplomaci aktive, politikë të jashtme të qartë dhe qeverisje kredibile – jo improvizime, heshtje dhe izolim.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë transparencë, përgjegjësi institucionale dhe një orientim të qartë euro-atlantik që garanton se Maqedonia e Veriut nuk do të mbetet jashtë proceseve të rëndësishme ndërkombëtare.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com