Sistemi “Safe City” është çështje e sigurisë publike, e mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe e vendosjes së rendit në komunikacion. Kur flasim për “Safe City”, nuk flasim për kamera apo gjoba, por për jetë njerëzish. Flasim për rrugë më të sigurta, për familje që nuk duhet të humbasin më baballarë, fëmijë apo motra për shkak të papërgjegjshmërisë së dikujt tjetër.
Qëndrimi i BDI-së, ose siç sot e quajnë veten në Parlament “Fronti Evropian”, dëshmon edhe një herë se kjo strukturë nuk ka asnjë lidhje me interesin e përgjithshëm publik. Për ta, çdo vendim është pazar, çdo proces është llogari e brendshme, dhe asgjë nuk udhëhiqet nga parimet apo nevoja reale e qytetarëve.

Rasti i “Safe City” e zbulon hapur krizën e thellë të brendshme në BDI. Një ditë deklarojnë se “në parim janë pro”, ndërsa ditën tjetër e rrëzojnë të njëjtin qëndrim. Kjo dëshmon rrëmujë politike dhe mungesë totale kontrolli. Është e qartë se Ali Ahmeti nuk e kontrollon më as grupin e tij parlamentar. Anija e tyre politike po fundoset. Sapo u aktivizua klika e vjetër, me Sadulla Durakun në krye, çdo pretendim për reformë u shua. E ashtuquajtura “risi” e BDI-së u zhduk në momentin kur foli e kaluara e tyre. Kjo është arsyeja pse kjo parti nuk mund dhe nuk përfaqëson interesin e shqiptarëve sot.

BDI mbetet peng i njerëzve dhe mendësisë të së kaluarës, një mendësi që ka prodhuar krizë pas krize. Kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, zgjedhin bllokadën. Kur kërkohet përgjegjësi dhe vendimmarrje, zgjedhin kaosin e brendshëm. Kur kërkohet llogaridhënie, kthehen te logjika e pazareve. Refuzimi i tyre për të mbështetur “Safe City” nuk ka të bëjë me përmbajtjen e projektit, por me frikën nga rendi, ligji dhe transparenca. Sepse aty ku ka rregull, nuk ka hapësirë për ndërhyrje, ndikim dhe lojëra prapa perdeve siç janë mësuar çdoherë.
Qytetarët duhet ta dinë qartë: problemi nuk është “Safe City”. Problemi është BDI, një strukturë e kapur nga e kaluara, që edhe sot vepron vetëm për interesat e veta. Problemet e BDI-së nuk janë dhe nuk do të bëhen problem i qytetarëve.

VLEN është e vendosur dhe nuk do të lejojë që pazaret dhe lojërat politike të sakrifikojnë jetë njerëzish. “Safe City” do të zbatohet. Qytetarët do të kenë rrugë më të sigurta, pavarësisht intrigave dhe pengesave politike të BDI-së. VLEN qëndron dhe do të qëndrojë gjithmonë me qytetarët, jo me pazaret politike.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com