Në Çair, një nga plagët më të mëdha urbane ka qenë ndërtimi i paligjshëm i objekteve kolektive mbi tokë shtetërore, në koordinim me drejtues komunalë. Skema ka qenë e qartë: objektet ndërtohen pa leje, më pas paraqiten si të ndërtuara para vitit 2011, duke përdorur numra arkivi të rremë, për t’u futur në procesin e legalizimit dhe për të shmangur pagesën e miliona eurove në taksa dhe detyrime ndaj shtetit.

Pas ndërhyrjes së Prokurorisë dhe hetimeve që nisën mbi këtë fenomen, z. Mexhiti premtoi publikisht se ndërtimet e paligjshme në Çair do të ndaleshin një herë e përgjithmonë. Ky ishte një nga zotimet e tij kryesore elektorale.

Sot, vetëm tre muaj pas zgjedhjeve, realiteti është krejt i kundërt. Në Çair janë duke u ndërtuar të paktën gjashtë objekte banesore të reja, ndërsa dy prej tyre po ndërtohen mbi ndërtime tashmë të paligjshme. Kjo dëshmon se premtimi për ndalimin e kaosit urban ishte vetëm një mashtrim politik.

Këto ndërtime nuk janë vetëm shkelje ligjore, por janë goditje direkte ndaj rendit urban, sigurisë së qytetarëve dhe barazisë para ligjit. Çdo objekt i ngritur në këtë mënyrë është një sinjal se ligji vlen për qytetarët e zakonshëm, por jo për ndërtuesit e lidhur me pushtetin lokal.

Ne kërkojmë ndalim të menjëhershëm të të gjitha punimeve në këto objekte. Kërkojmë që Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit, Prokuroria dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të veprojnë pa vonesë. Kërkojmë hetim të plotë për mënyrën se si janë lëshuar dokumentet dhe kush i ka firmosur ato.

Çairi nuk mund të jetë pronë private e askujt. Qytetarët meritojnë ligj, rregull dhe siguri, jo ndërtime të paligjshme dhe marrëveshje në errësirë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume