Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot zhvilloi një takim pune me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Fatih Ulusoj, ku u shqyrtuan mundësitë për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral, me fokus të veçantë në fushën e mjedisit.

Në takim, ministri Hoxha shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe afatgjatë që Republika e Turqisë i ka dhënë Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga pavarësimi i saj, duke theksuar rëndësinë e partneritetit ndërmjet dy vendeve në realizimin e iniciativave dhe projekteve të përbashkëta.

Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për Forumin e ardhshëm të Ujërave, i cili do të mbahet më 5 dhe 6 maj të këtij viti në Stamboll, me pjesëmarrjen e ministrave të mjedisit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për mbajtjen e Konferencës së 31-të të Palëve (COP31), samiti më i rëndësishëm global për ndryshimet klimatike nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet në Antali, Republika e Turqisë.

Në fund të takimit, ministri Hoxha shprehu bindjen se bashkëpunimi bilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë do të vazhdojë të zhvillohet, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe intensifikimin e shkëmbimit të njohurive dhe përvojave me interes të përbashkët.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com