Protesta e kamionistëve të Maqedonisë së Veriut ka nisur dhe ka bllokuar lëvizjen e kamionëve në disa pika kufitare të vendit, përfshirë edhe pikën kufitare Bllatë e Dibrës. Në adresë të portalit TS, kanë arritur video dhe fotografi të kamionistëve duke protestuar në kufirin e Bllatës së Dibrës. Protestës i janë bashkuar gjithashtu kamionistë nga Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi, duke e shndërruar atë në një reagim rajonal.
Shkak për protestën është kufizimi i qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian në vetëm 90 ditë brenda 180 ditëve, masë që sipas kamionistëve ua pamundëson zhvillimin normal të punës dhe i trajton ata si turistë, e jo si punonjës profesionalë të transportit.
Protestuesit kërkojnë dyfishimin e ditëve të qëndrimit, ndërsa kanë paralajmëruar se protesta do të zgjasë 7 ditë pa ndërprerje, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Si pasojë e ndalimit të punës, po pësojnë dëme edhe kompanitë e huaja që bashkëpunojnë me transportuesit, ndërsa gjatë protestës nuk do të lejohet kalimi i kamionëve nga Europa. Përjashtim bëjnë vetëm kamionët që transportojnë kafshë të gjalla, barna dhe municione, ndërsa qarkullimi i udhëtarëve nuk do të pengohet./TS?