Nga tregu i Maqedonisë së Veriut po tërhiqet urgjentisht produkti “Aptamil AR 2”, 24×400 gramë, seri 2027.01.02, për të cilin është konstatuar kontaminim me cereulid (cereulide), njoftoi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Nga Agjencia u bëhet thirrje konsumatorëve që e kanë blerë këtë produkt me këtë shifër dhe afatin e përdorimit të përmendur të mos e përdorin dhe ta kthejnë në vendin ku e kanë blerë.

Cereulidi është një toksinë rezistente ndaj nxehtësisë, e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, i cili mund të zhvillohet në ushqim. Simptomat më të shpeshta të një infeksioni të mundshëm janë të vjellat dhe diarrea, që shfaqen pak kohë pas konsumimit të qumështit, nga 30 minuta deri në tre orë.

Simptomat janë shumë të ngjashme me ato të një virusi të stomakut.

Shërbimet inspektuese të AUV-së gjatë ditës së djeshme kanë kryer një kontroll të jashtëzakonshëm inspektues te operatori ushqimor, importues i formulave fillestare për foshnja, formulave pasuese për foshnja dhe ushqimeve dietetike për qëllime të veçanta mjekësore.

Kjo u bë pasi AUV mori njoftim për një produkt të pasigurt në vend.

“Gjatë kontrollit u konstatua se e gjithë sasia e importuar është shpërndarë në tregun e Maqedonisë, pra produkti nuk është gjetur në magazinat e importuesit dhe se, siç e ka njoftuar vetë operatori Agjencinë dhe publikun, po kryhet tërheqje urgjente e sasive të shpërndara të këtij produkti nga tregu”, thuhet në njoftim.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tha se po e ndjek situatën dhe,nëse lind nevoja, do të reagojë me kohë duke marrë masat përkatëse për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të foshnjave.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com