Raporti vjetor i platformës ndërkombëtare Global Firepower për vitin 2026 është edhe një dëshmi e qartë e stagnimit dhe regresit të Maqedonisë së Veriut në fushën e sigurisë dhe kapaciteteve shtetërore. Ndërsa vendet e rajonit shënojnë progres ose të paktën ruajnë pozicionet e tyre, Maqedonia e Veriut vazhdon të bjerë.

Sipas këtij raporti, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në renditjen botërore të fuqisë ushtarake, Bullgaria ka ruajtur stabilitet, ndërsa Sllovakia ka avancuar. Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut renditet me indeks 2.4956, duke konfirmuar rënien e saj të vazhdueshme krahasuar me vitet e mëparshme.

Ky nuk është një rast i izoluar. Maqedonia e Veriut po stagnon dhe po shënon regres në pothuajse çdo raport serioz ndërkombëtar – qoftë në siguri, ekonomi, sundim të ligjit apo pozicion gjeopolitik. Kjo është pasojë direkte e mungesës së vizionit strategjik, keqmenaxhimit institucional dhe politizimit të plotë të sektorëve kyç shtetërorë.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se siguria dhe mbrojtja nuk janë çështje statistikash për raporte, por tregues të drejtpërdrejtë të seriozitetit të shtetit dhe besueshmërisë së tij ndërkombëtare. Rënia në këto renditje reflekton dobësimin e institucioneve dhe humbjen e kapaciteteve reale të shtetit.

Maqedonia e Veriut ka nevojë për politika serioze, investime reale dhe një qasje profesionale në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, jo improvizime dhe propagandë. Pa këto, regresi do të vazhdojë dhe vendi do të mbetet gjithnjë e më prapa edhe në raport me fqinjët e tij.

Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të ngrisë zërin për këtë realitet dhe të kërkojë llogaridhënie për dështimet që po e shtyjnë shtetin drejt marginalizimit ndërkombëtar.

Aleanca për Shqiptarët

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com