“Çdo njeri ka të drejtë të protestojë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për emisionin “Klik Plus” në TV21, duke komentuar protestat e paralajmëruara nga një pjesë e organizatave sindikale.

Kryeministri theksoi se nuk është kundër rritjes së pagave, por vlerësoi se qëllimi i sindikatave nuk është përmirësimi i standardit të punëtorëve, por përplasje politike.

“I pashë kërkesat dhe ato nuk janë asgjë e re. Jam absolutisht për të ardhura më të larta – secili duhet të marrë pagë më të madhe dhe për këtë nuk ka dilemë. Por duhet thënë e vërteta: disa nga udhëheqja e këtij sindikati janë të kapur nga ambicie politike dhe figura të caktuara politike. Gjithçka që bëjnë ka këtë qëllim. Nuk bëhet fjalë për motive humane dhe luftë të sinqertë për paga më të larta, por për diçka krejtësisht të kundërt”, deklaroi Mickoski.

I pyetur nëse mendon se protesta e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë ka prapavijë politike, kryeministri u përgjigj pozitivisht.

“Absolutisht. A duhet dikush të ketë dilemë kur një protestë e paralajmëruar para disa javësh mbahet vetëm disa ditë pas Kongresit të një partie politike? Mendoj se këtu nuk ka vend për dyshim”, tha ai.
Mickoski shtoi se udhëheqja e LSM-së mendon se me këto veprime do t’i shkaktojë dëm Qeverisë, por theksoi se, sipas tij, nuk bëhet fjalë për kërkesa për paga më të larta, por për veprim sindikal nën ndikimin e politikës dhe politikanëve të caktuar opozitarë.

“Ata mendojnë se në këtë mënyrë do t’i bëjnë dëm Qeverisë. Thelbi nuk është paga më e lartë për punëtorët. Mënyra e funksionimit të sindikatës, përfshirë edhe udhëheqjen, trashëgohet në vijë familjare. Nëse shihet se ku dhe në çfarë pozicionesh kanë qenë prindërit e disa prej udhëheqësve, do të bëhet e qartë se si funksionon ajo strukturë. Prandaj, nuk bëhet fjalë për mbrojtje të të drejtave të punëtorëve apo për paga më të larta, por për kërkesa sindikale të kapura nga politika dhe politikanë të caktuar opozitarë”, ishte i prerë Mickoski.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com