Presidenti francez Emmanuel Macron tha në Paris se Grenlanda nuk është në shitje dhe se vetëm banorët e saj kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre, duke dërguar një mesazh të qartë politik në një kohë tensionesh të larta gjeopolitike mbi Arktikun.
Presidenti francez Emmanuel Macron u takua sot në Paris me kryeministren daneze Mette Frederiksen, dhe me atë rast foli në gjuhën gronlandeze. Duke folur në gjuhën grënlandeze, Macron theksoi se vetëm ky ishull arktik ka të drejtë të vendosë për fatin e vet.
“Grenlanda nuk është në shitje, as nuk mund të merret. Banorët e Grenlandës do të vendosin për të ardhmen e tyre”, tha Macron.
Duke vazhduar fjalimin e tij, presidenti francez foli edhe në danisht, duke theksuar mbështetjen e tij të fortë politike për Kopenhagenin.
“Franca do të vazhdojë të jetë e bashkuar me Mbretërinë e Danimarkës”, tha ai.
Udhëheqësi i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen dhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ishin në Paris për të biseduar me Macronin rreth forcimit të mbështetjes ndërkombëtare pas deklaratave të mëparshme të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili shprehu interes për të marrë në zotërim ishullin strategjikisht të rëndësishëm Arktik, i cili ka qenë pjesë e territorit danez për shekuj me radhë.
Macron theksoi se Franca ndan pikëpamjen se është e nevojshme të forcohet siguria dhe mbrojtja në Arktik, një rajon që po fiton rëndësi gjeopolitike gjithnjë e më të madhe për shkak të ndryshimeve klimatike dhe rivaliteteve globale.