Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në një takim të fundit të liderëve u paraqit me një BMW luksoze që, sipas informacioneve të revistës “Fokus”, është në pronësi të të afërmit të tij, Rakip Aliu. Sipas të dhënave që kemi siguruar, Aliu është pronar i kompanisë “Murana Kompani”, e cila paraqitet si donator i Komunës së Tetovës së bashku me kompaninë “Pro Inxhiniering”, e cila nga ana tjetër përgatit dokumentacionin urbanistik për hapësirën pranë “SHIK Jelak”, ku një pjesë e tokës është në pronësi të biznesmenit kontrovers Miodrag Davidoviq–Daka, shkruan FOKUS.

Nga Komuna nuk kanë dhënë përgjigje për pyetjet tona lidhur me DPU-në e re për “SHIK Jelak”, e cila ende nuk është miratuar, edhe pse kanë kaluar 4 vite nga pezullimi i parë.

Shoqëria “Murana Kompani”, në pronësi të Rakip Aliut, i afërm i ngushtë i kryetarit të Komunës së Tetovës dhe liderit të Besës, Bilall Kasami (Aliu është gjithashtu pronar i BMW-së luksoze me të cilën Kasami u paraqit në takimin e liderëve në Klubin e Deputetëve), ka qenë donator i Komunës së Tetovës së bashku me një kompani ndërtimore që përgatit planin e ri urbanistik për hapësirën pranë ish-kombinatit “SHIK Jelak”.

Gjatë vitit 2023, Komuna e drejtuar nga Kasami ka marrë vendim për pranimin e një donacioni nga kompania e xhaxhait të tij, Aliu, si dhe nga një kompani tjetër – “Pro Inxhiniering”. Në Gazetën Zyrtare të Komunës nr. 12 thuhet se Këshilli i Komunës më 14.07.2023 ka marrë vendim për pranimin e donacionit nga këta subjekte.

Donacioni ka të bëjë me ndërtimin e një pusi për ujë të pijshëm në fshatin Falishte të Tetovës, me vlerë totale prej 1.920.000 denarësh. Praktikisht, Këshilli, i kryesuar atëkohë nga Besar Durmishi nga Besa, i cili pas ndryshimeve politike u bë ministër i Ekonomisë, e ka autorizuar kryetarin Kasami të lidhë kontratë me donatorët për të rregulluar qëllimin dhe mënyrën e shfrytëzimit të donacionit.

Interesant është fakti se kompania e dytë donatore, “Pro Inxhiniering”, është ajo që përgatit dokumentacionin urbanistik për planin e ri për zonën në Tetovë ku ndodhet ish-kombinati “SHIK Jelak”, pronë e cila në masë të madhe i përket biznesmenit kontrovers nga Mali i Zi, Miodrag Davidoviq–Daka, i cili është futur në “listën e zezë” të SHBA-ve për kontrabandë dhe pastrim parash.

Për kujtesë, menjëherë pas formimit të Qeverisë së vjetër–të re të LSDM-së dhe BDI-së në vitin 2020, pushteti lokal në Tetovë, i udhëhequr nga BDI-ja dhe me shumicë në Këshillin Komunal, me kryetare Teuta Arifi, miratoi një plan urbanistik për zonën pranë “SHIK Jelak”, i cili parashikonte ndërtimin e 4 qendrave tregtare, njëra prej tyre shumë e madhe, si dhe 27 ndërtesa banimi me shtatë kate.

Megjithatë, menjëherë pasi Kasami fitoi zgjedhjet lokale në vitin 2021 dhe Besa mori shumicën në Këshillin Komunal, Këshilli mori vendim për pezullimin e këtij DPU-je dhe nisi procedura për miratimin e një plani të ri të rishikuar për të njëjtën hapësirë. Konkretisht, në vitin 2022, Këshilli i Tetovës vendosi pezullimin e DPU-së për Bllokun Urban 57 (57a).

Në periudhën pasuese, Këshilli miratoi disa vendime për pezullim të pjesshëm të planit, në pjesën ku toka është në pronësi shtetërore. Megjithatë, edhe pas 4 vitesh nga pezullimi i parë, ende nuk është miratuar një DPU i ri, ndonëse Ligji për planifikim urban parasheh që kjo të bëhet brenda 6 muajve ose një viti, varësisht nga lloji i pezullimit.

Edhe pse që në dhjetor të vitit të kaluar kemi kërkuar përgjigje nga Komuna e Tetovës për gjendjen faktike dhe hapat e mëtejshëm lidhur me këtë plan urbanistik, deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nga informacionet publike shihet se janë miratuar Programi Planor për përgatitjen e një pjese të DPU-së për Bllokun 57 (57a) dhe Draft-DPU për një pjesë të këtij blloku, K.O. Tetovë 1.

Në Programin Planor të publikuar në prill 2023, i përgatitur nga “Pro Inxhiniering”, thuhet se qëllimi i DPU-së është krijimi i “kushteve reale për rregullimin dhe shfrytëzimin e hapësirës së parcelave kadastrale”, si dhe parashihen “sipërfaqe më të mëdha për përdorim publik, parqe dhe gjelbërim për një jetë më humane”.

Në bazë të këtij programi, në korrik 2023 është përgatitur Draft-plani për një pjesë të Bllokut 57 (57a), sërish nga “Pro Inxhiniering”. Në pjesën tekstuale thuhet se qëllimi është zhvillimi hapësinor përmes ndërtimit të objekteve të reja banimi, komerciale dhe afariste, si dhe hapësirave të gjelbra rekreative.

Në kuadër të planit janë formuar 36 parcela ndërtimore, ndërsa sipërfaqja maksimale për ndërtim në nivel blloku është 219.108 metra katrorë: banim 157.406 m², objekte afariste 60.251 m², veprimtari publike 1.315 m² dhe infrastrukturë 135 m².

Krahasimi mes planit të vjetër të pezulluar dhe draft-planit të ri tregon se në planin e ri, në qendër të zonës, në vend të dy objekteve banimi është paraparë një objekt për sport dhe rekreacion, si dhe ndërtimi i një shkolle. Rreth 40 për qind e sipërfaqes është e dedikuar për banim, 21 për qind për objekte afariste, etj.

Në total, sipërfaqja nën ndërtim në nivel blloku është 24.676 m², ndërsa sipërfaqja bruto e zhvilluar maksimale arrin 171.603 m². Megjithatë, edhe pas 4 vitesh nga pezullimi i parë, ende nuk është paraqitur ndonjë propozim-plan para Këshillit të Tetovës për miratim.


Përveç përgatitjes së këtij DPU-je, “Pro Inxhiniering” ndërton edhe objekte banimi në Tetovë, duke u paraqitur si realizues i ndërtesave ku investitor është kompania “Elastan”, e cila fitoi të drejtën për ndërtimin e 4 ndërtesave në zonën e “Tetovo Tabak” pas transformimit të tokës në tokë ndërtimore.

Kasami ka konfirmuar se BMW-në luksoze e ka huazuar nga një i afërm, pasi automjeti zyrtar i Besës nuk i ka qenë në dispozicion./FOKUS/

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com