Prej vitesh po përsëritet i njëjti skenar: investimet, donacionet dhe projektet përfundojnë pothuajse gjithmonë në shkollat e pjesës lindore maqedonase, ndërsa shkollat në perëndim, ku mësojnë nxënës shqiptarë, lihen në harresë.
Kjo nuk është rastësi. Është politikë e qëllimshme. Një sistem që në letër flet për barazi, por në praktikë prodhon diskriminim. Klasa të ftohta, objekte të amortizuara, mungesë laboratorësh dhe pajisjesh bazë – ky është realiteti i shumë shkollave shqiptare, ndërsa diku tjetër ndërtohen salla sportive dhe rinovohen objekte pa asnjë kriter real.
Shteti nuk guxon të sillet si bankë partie. Donacionet publike nuk janë dhuratë për “të preferuarit”, por detyrim ndaj çdo nxënësi. Kur paratë ndahen sipas përkatësisë gjuhësore e rajonale, arsimi shndërrohet në mjet për thellimin e ndarjeve, jo për ndërtimin e së ardhmes.
Heshtja institucionale është bashkëfajësi. Çdo ministër që mbyll sytë, çdo komunë që pranon padrejtësinë, mban përgjegjësi për këtë diskriminim të hapur. Nxënësit shqiptarë nuk janë qytetarë të dorës së dytë dhe shkollat e tyre nuk janë më pak të rëndësishme.
Barazia nuk kërkohet – ajo imponohet me drejtësi.
Ose fondet ndahen sipas nevojës reale, ose ky sistem duhet të quhet me emrin e vërtetë: padrejtësi e institucionalizuar.
Pedagog : Naim Kurtishi .

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com