Paramendoni nëse BDI, VLEN dhe ASH do të refuzonin ofertën e VMRO-DPMNE-së për pjesëmarrje në qeveri për shkak se nuk pranoi asnjë pikë nga programi i tyre parazgjedhor.

Shkruan: Xhelal Neziri

Deri më sot shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë pasur një skenë politike kaq anemike sa kjo aktualja.

Hyrje-daljet në qeveri përgjatë gati një dekade flasin për një krizë të thellë të përfaqësimit politik të qytetarëve shqiptarë. Përçarjet e brendshme, fraksionet, partitë e reja me njerëz të vjetër, strukturave partiake klienteliste dhe mungesa e një etike minimale në veprimin politik, ka nxjerrë në shesh mungesën e një përmbajtjeje bazike te partitë ekzistuese. Kjo krizë është thelluar edhe më tej nga koalicionet numerike pa bazë ideologjike, të bëra me të vetmin qëllim: pjesëmarrje në pushtet.

Pushteti, fatkeqësisht, ka kohë që është bërë qëllim i partive shqiptare, në vend që të jetë mjet për realizimin e qëllimit. Kjo zhvendosje konceptesh lidhet ngushtë me normalizimin e klientelizmit te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, i cili fillon nga lideri dhe përfundon deri te votuesi.

Programet janë sa për t’i pasur, premtimet parazgjedhore sa për t’i thënë kurse ideologjia (ideja dhe ideali) sa për t’u identifikuar. Parimet dhe vlerat janë harruar, kanë mbetur vetëm interesat.

A është patjetër të ketë shqiptarë në pushtet? Jo. Patjetër është të respektohet Kushteuta që ngërthen amendamentet e Marrëveshjes së Ohrit, Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe mekanizmat për mbrojtje nga majorizimi në Parliament, siç është Parimi i Badenterit. Me fjalë tjera, cilido që emërohet në poste qeveritare ai ka për detyrë të respektojë dhe zbatojë vendimet e Parliamentit. Për atë quhet pushtet ekzekutiv pasi i ekzekuton (zbaton) dokumentet që ka sjellë pushteti ligjvënës, si Kushtetutën apo ligjet. Që të zbatojë gjuhën shqipe në komunikimin me shqiptarët etnik, nuk duhet medoemos që funksionari të jetë shqiptar. Që të sigurohet zhvillim rajonal i barabartë rajonal, nuk duhet që ministri i pushtetit lokal të jetë shqiptar etnik. Që të respektojë të drejtat etno-kulturore të shqiptarëve, nuk është patjetër që bartësi i funksionit të jetë shqiptar. Mjafton të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe të japë rezultatet që priten nga ai.

Parlamenti është institucioni kryesor në shtetet me sisteme demokratike parlamentare. Është institucioni që prodhon të gjitha institucionet tjera pasi ka fuqinë e legjitimitetit të sovranit, të shprehur në zgjedhje. Edhe Qeveria, apo pushteti ekzekutiv, zgjidhen dhe shkarkohen nga Parlamenti. Aty duhet të jetë fokusi i partive shqiptare, duke mbajtur llogari të kenë në radhët e tyre deputetë të përgatitur mirë që do të kenë një kompas etik e moral. Nëse përbërja parlamentare e shqiptarëve do të ishte diku afër nivelit të votuesve të tyre, atëherë do të kishim një rrëfim tjetër. Por ja që pjesa më e madhe e deputetëve shihen si votues të kurdisur, pa mos shfrytëzuar as minimumin e mekanizmave në dispozicion për të rritur kualitetin e përfaqësimit të votuesve apo të partive të tyre.

Partitë shqiptare nuk duhet të vrapojnë pas pushtetit pa pushtet. Në shumë vende të botës nuk arrihet të formohet qeveria shkaku i mospërputhjes ideologjike të partive. Pra, partia e dytë apo e tretë nuk pranon pjesëmarrje në pushtet për shkak të dallimeve të mëdha me partinë fituese në shumë sfera: që nga ato sociale, ekologjike e deri te ekonomike apo politike. Shembuj të tillë ka plot, madje edhe në rajon. Partitë jofituese në Kosovë apo Bullgari nuk i mundësuan formimin e qeverisë partive të para për shkak të ruajtjes së identitetit politik të tyre.

Paramendoni nëse BDI, VLEN dhe ASH do të refuzonin ofertën e VMRO-DPMNE-së për pjesëmarrje në qeveri për shkak se nuk pranoi asnjë pikë nga programi i tyre parazgjedhor. Nuk mban argumenti se VMRO-DPMNE ka shumë fuqi pasi ka shumicën e nevojshme në Parlament edhe pa partitë shqiptare. Pa marrë parasysh sa deputetë fiton një parti maqedonase, ajo nuk mund të krijojë qeveri stabile pa një partner shqiptar. VMRO-DPMNE e di këtë, andaj përdor strategjinë e joshjes në stilin “nese nuk vjen ti, tjetri pret pas dere” për të zvogëluar sa më shumë të jetë e mundshme peshën e partnerëve shqiptarë në qeveri. Është krejtësisht legjitime kjo lojë politike, edhe pse në planin afatgjatë krijon bazë për frustrime ndër shqiptarët etnikë.

Ky vrap pas pushtetit do të vazhdojë pasi është rezultat i mungesës së një ideologjie të qartë te partitë politike shqiptare, e cila do të shërbente si një kompas moral në veprimtarinë e tyre. Kjo ideologji do të nënkuptonte ide, ideal, parime dhe vlera, të cilat nuk shkelen dhe për të cilat nuk bëhet kompromis. Pragmatizmi ekstrem aktual i partive shqiptare do t’i delegjitimojë shumë shpejtë për shkak se humbet kuptimi i ekzistencës së tyre. Me kohë më shumë do t’u ngjajnë shoqatave aksionare sesa subjekteve të organizimit politik. Partitë kanë votues, kurse kompanitë klientë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com