Shkruan: Merxhan Jakupi

Imazhi i trishtë dhe i keq i vendeve të Ballkanit Perëndimor shfaqet kur gazetarët dhe reporterët i vizitojnë këto vende nëpërmjet ekspeditave të tyre.

Më melankolike dhe më e neveritshme, si dhe paradoks dhe ironi e këtij imazhi janë qentë endacakë, lumenjtë e ndotur me hekurishte dhe plehra, ndotja e ajrit, tymi dhe smogu nga djegia e plehrave dhe e bërllokut në vende të ndryshme.

Po ashtu kacafytja, përleshja e qenve dhe masa e tubuar me qindra tifozë, të cilët në mënyrë spektakulare shikojnë duke u fokusuar dhe u kënaqur me egon e trishtë, se kush do ta masakrojë deri në agoni një qen. Gjuajtja ndaj qenve dhe maceve me gurë, etj.

Këto imazhe të trishta bëjnë që popujt e Ballkanit Perëndimor të jenë shoqëri anticivilizuese, të dhunshme dhe të paemancipuara.

Sipas një reviste perëndimore “Geograf”, tek popujt e Ballkanit ekziston një narracion dhe paradigmë e trishtë.

Ballkanasit, në ambientet e tyre, në shtëpi dhe banesa, mbajnë pastërti dhe higjienë. Kjo është një egocentrizëm dhe antivlerë e bazave morale. Ata shkatërrojnë dhe dhunojnë ambientet e jashtme: hapësirat urbane, lagjet.

Kjo shoqëri tribale, puritane dhe arkaike, i heq plehrat dhe bërllokun nga pragu i shtëpisë dhe i lë jashtë oborrit, në rrugë ose para shtëpive të fqinjëve.

Një miku im rrëfente se, në kontejnerët e lagjes, kur shkova t’i hidhja mbeturinat, vinte erë kalbësirë. U afrova ta shoh se pse kuturbonte erë e keqe, ndërkohë që vërejtja një viç të ngordhur.

Po ashtu, një mbrëmje tek kontejnerët e lagjes, një njeri me traktor shkarkoi para tyre tulla dhe beton, me shpejtësi, si ndonjë hajdut duke plaçkitur, dhe në fund iku.

Këta qenie të brishta, mjerane dhe të marra, nuk e dinë se edhe familjet dhe fëmijët e tyre do të thithin ajër toksik. Ata nuk e dinë se edhe vetë, bashkë me fëmijët e tyre, do të sëmuren nga sëmundje kancerogjene dhe sëmundje vdekjeprurëse.

Unë shpesh, kur i hedh plehrat të cilat janë të seleksionuara nëpër kontejnerë, riciklimi i metaleve, i rrobave, plastikës, konservave, shoh se sa e jashtëzakonshme, e disiplinuar dhe e qytetëruar është popullata zvicerane.

Një herë vura re një zonjë, e cila më tha: “Zotëri, më falni, konservat dhe shishet prej qelqi duhet të lahen, etiketat duhet të hiqen dhe pastaj të hidhen.”

Unë e pashë zonjën se si i kishte pastruar të gjitha kutitë e konservave, ndërsa teshat që ishin të lara dhe të hekurosura, i futi brenda në kontejner.

 

RECIKLIMI I MBETURINAVE, POROSIA PËR NXËNËSIT E SHKOLLAVE FILLORE

 

Ligjet rigoroze e kanë bërë Zvicrën një vend më piktoresk dhe me natyrë të pastër. Në Zvicër, shumë rrallë policia në trafik të ndal dhe të kontrollon. Por kur thyhen rregullat e trafikut, policia vijnë menjëherë. Policia është shumë fleksibël me gjoba dhe ndëshkime të rrepta. Kjo është diktat i arsyes, e jo diktaturë.

Një mik më tregoi duke u ankuar, kinse neve të huajve na diskriminojnë dhe nuk na duan. Miku rrëfente se, për pak çaste, duke hyrë në një market, e kishte lënë motorin e makinës ndezur. Kur kishte dalë, policia e kishte dënuar me 200 franga.

Një kontrast i njëjtë m’u kujtua në vendlindje. Nga dritaret e sallonit të shtëpisë depërtonte era e gazit. Kur dola në lagje, ishte një makinë me targa zvicerane e ndezur para shtëpisë sime. Zvicranët kanë një maksimë, një thënie shumë të qëlluar: njeriu është qenie komplekse dhe e brishtë. Për ta bërë që t’i respektojë rregullat, duhet të ndëshkohet.

Para disa dekadave, një mik malazez më tha se është shumë e vështirë që ne ballkanasit të integrohemi në shoqërinë dhe qytetërimin perëndimor. Ai rrëfente se si të huajt nga Lindja, emigrantët, dhe ne nga Ballkani, shpesh në kontejnerët e mbeturinave i fusim duke i përzier së bashku plastikën, metalet dhe bërllokun në një kontejner, që do të thotë nuk e bëjmë riciklimin e duhur.

Vajza ime më tregoi se mësuesja, së bashku me pedagogun, i kanë angazhuar nxënësit për të bërë riciklimin e mbeturinave. Mësuesja u kishte thënë dhe i kishte lutur që t’u thonë prindërve të tyre të kenë kujdes dhe të bëjnë riciklimin e mbeturinave.

Miku malazez, para dy dekadave, kishte pasur një restorant. Përveç klientëve tanë, vinin edhe klientë zviceranë. Kontrasti kulturor mes ne ballkanasve dhe zviceranëve më ka fascinuar, sepse kishte divergjenca të mëdha.

Klientët zviceranë, në hyrje, përshëndesnin me buzëqeshje dhe uleshin nëpër tavolina. Uleshin duke pirë dhe biseduar me zë të ulët. Merrnin gazetën dhe, pasi e shfletonin ose e lexonin, e vendosnin përsëri në vend.

Ajo që kam vërejtur, rrëfente miku im dhe pronari i restorantit, është se zviceranët më shumë bëjnë pyetje dhe e dëgjojnë me shumë vëmendje bashkëbiseduesin ose kolegët.

Klientët tanë ballkanas, kur hyjnë, rrallë përshëndesin. Një ndër zakonet më të pista dhe vulgare është sharja pas çdo fjalie dhe bisede. Miku më tha se ju shqiptarët nuk e shani Zotin, diellin, bukën, kishën ose xhaminë, ndërsa, siç e dimë, për ne malazezët, serbët, kroatët, po ashtu rrallë edhe për boshnjakët. sharja është si buka dhe kripa.

Klientët tanë tubohen nëpër tavolina dhe flasin me zë të lartë. Ndonjëherë, të dehur tapë, bëhen nervoz dhe fillojnë të grinden. Biseda e turmës nuk ndalet. Ata i marrin gazetat dhe i masakrojnë, i grisin ose nëpër faqe shkruajnë shkarravina. Shpesh, nga moskujdesi, me bishtin e cigares i djegin çarçafët dhe mbulesat e tavolinave. Nuk përjashtohet as rasti kur ndonjë klient e fsheh pijen.

Miku më tregoi se Zoran Gjingjiq, kur ishte student në Universitetin e Konstancës, shpesh vinte në restorant. Në biseda, shpesh diskutonim për shumë tema. Një ndër temat ishte se pse ne ballkanasit nuk mund të integrohemi, të edukohemi dhe të emancipohemi, pasi edhe ne i takojmë familjes dhe matricës evropiane. Gjingjiqi kishte një sens humori dhe oratori. Sipas tij, nuk është e kotë maksima, thënia e njohur “sindromi ballkanik” dhe “taverna ballkanike”. “Popujt ballkanas është e vështirë të dalim nga taverna ballkanike dhe të hyjmë në tavernën evropiane”, tha ai me buzë në gaz, ndërkohë që gjithë kolegët tanë qeshën.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com