Ish-kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke mohuar pretendimet për lidhjen e tij me sekuestrimin e sasive të mëdha të kanabisit mjekësor në disa fabrika të vendit. “Publikisht kërkoj falje nga deputeti Petrushevski dhe nga partia VMRO-DPMNE për të gjitha ato gënjeshtra, shpifje dhe fyerje, përfshirë edhe keqpërdorimin e qëllimshëm të emrit tim në atë dramë të inskenuar rreth konfiskimit të dhjetëra tonëve kanabis mjekësor, për shkak të ruajtjes dhe magazinimit të supozuar të papërshtatshëm”, shkroi Zaev.

Ai i cilësoi si “gënjeshtra të pacipa” pretendimet se ka qenë i përfshirë në rastet e kanabisit apo se ka telefonuar në Drejtorinë e Doganave. Zaev shtoi se prej pesë vitesh përballet me fyerje të përditshme, por gjithmonë ka respektuar lirinë e fjalës dhe nuk ka kërkuar hakmarrje.

Ish-kryeministri mohoi gjithashtu akuzat e tjera që i janë adresuar, si ndërtimi i kullave në Dubai, presioni për blerjen e spitalit të dr. Zhann Mitrev apo ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë. “Tani është mjaft”, theksoi ai.

Zaev paralajmëroi se nëse nuk ka kërkim falje brenda afatit ligjor, do të padisë deputetin Brane Petrushevski dhe partinë VMRO-DPMNE. “Do të luftoj me të gjitha mjetet ligjore për të hequr këtë njollë nga emri im”, shkroi ai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume