Një ndërmarrje publike në Komunën e Strugës i ka kërkuar një këshilltareje komunale që kërkesën e saj ta dorëzojë në gjuhën maqedonase, me arsyetimin “që ta kuptojnë saktë dhe drejt”, ndonëse ligji garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Rastin e ka bërë publik Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, i cili ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi.

“Skandal në Strugë! Skandale në mbarë Maqedoninë e Veriut. Edhe pse ekziston ligji që qartë garanton përdorimin e gjuhës shqipe, një ndërmarrje publike në Komunën e Strugës i kërkon një këshilltareje që kërkesën ta dorëzojë në maqedonisht, me arsyetimin ‘që ta kuptojnë saktë dhe drejt’. Shqipja nuk është përkthim, është gjuhë zyrtare. P.S. Nuk mu besua kur e lexova shkresën e mëposhtme!”, ka shkruar Ademi.

Sipas legjislacionit në fuqi në Maqedonia e Veriut, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë, përfshirë edhe Strugën.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur reagim zyrtar nga ndërmarrja publike në fjalë apo nga autoritetet komunale lidhur me pretendimet.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume