Rrëzimi i një rakete balistike që shkonte drejt Turqisë nga forcat kundërajrore të NATO-s nuk përbën një arsye të menjëhershme për aktivizimin e Nenit 5, klauzolës mbi mbrojtjen e ndërsjellë të anëtarëve të aleancës, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.

“Askush nuk po flet për Nenin 5. Gjëja më e rëndësishme është se kundërshtarët tanë panë dje se sa e fortë dhe vigjilente është NATO, dhe madje edhe më vigjilente, nëse është e mundur, që nga e shtuna”, tha Rutte për Reuters.

Turqia tha se forcat e mbrojtjes ajrore të NATO-s kishin shkatërruar një raketë balistike iraniane që hyri në hapësirën ajrore turke, duke shënuar herën e parë që një anëtar i aleancës është përfshirë drejtpërdrejt në një konflikt në Lindjen e Mesme, duke hapur mundësinë e përhapjes së konfliktit tek aleatët e bllokut.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit mohoi sot se ka lëshuar raketa drejt Turqisë, duke theksuar se vendi respekton sovranitetin e Turqisë mike, raportojnë mediat iraniane.

Neni pesë i NATO-s thotë se një sulm ndaj një anëtari të aleancës është një sulm ndaj të gjithë anëtarëve të tjerë.

Rutte tha se NATO mbështet Shtetet e Bashkuara në sulmet ndaj Iranit sepse “kërcënon të bëhet një kërcënim edhe për Evropën”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi gjithashtu se aleatët vazhdojnë të mbështesin Ukrainën pavarësisht situatës në Iran.

“Shumë udhëheqës në Evropë, SHBA dhe Kanada thonë se duhet të jetë ‘e dyja’: që si aleatë të mundësojmë atë që amerikanët po bëjnë në Lindjen e Mesme… dhe në të njëjtën kohë t’i sigurojmë Ukrainës gjithçka që i nevojitet për të mbetur e fortë në luftë”, tha Rutte.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume