Donald Trump i ka thënë Australisë se po bën një gabim të tmerrshëm duke i lejuar reprezentueset e futbollit të Iranit të kthehen në shtëpi, pasi u shfaqën shqetësime për sigurinë e tyre pas refuzimit për të kënduar himnin në ndeshjen e tyre të parë të Kampionatit Azisë. Presidenti amerikan i bëri thirrje kryeministrit Anthony Albanese që t’u japë atyre azil.
Ndeshja e parë e iraneve në kampionatin në Australi koincidoi me fillimin e sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, me ç’rast ato bojkotuan himnin para fillimit të duelit me Korenë e Jugut. Komentuesi i radios shtetërore iraniane e përshkroi këtë si “kulmin e pandershmërisë dhe tradhtisë” dhe bëri thirrje që ato të dënohen ashpër. Ato e mbyllën paraqitjen e tyre pasi humbën nga Filipinet me rezultat 2:0.
”Australia po bën një gabim të tmerrshëm humanitar duke lejuar ekipin e futbollit të femrave të Iranit të kthehet në Iran, ku ka shumë të ngjarë të vriten. SHBA-të do t’i pranojnë nëse ju nuk dëshironi,” shkroi Trump në rrjetin e tij social.
Burimet konfirmuan për BBC se pesë anëtare të ekipit kanë kërkuar strehim në një shtëpi të sigurt dhe tani janë nën mbrojtjen e Policisë Federale Australiane. Sindikata globale e lojtarëve, FIFPRO, njoftoi paraprakisht se ka shqetësime serioze për sigurinë e ekipit ndërsa po përgatitet për t’u kthyer në shtëpi.
Futbollistet e kënduan himnin dhe përshëndetën para fillimit të dy ndeshjeve të radhës, gjë që nxiti dyshime se ato kanë marrë kërcënime.