Skandal në futbollin e vogël në Maqedoninë e Veriut – vendimi ndryshohet pas shikimit të videos në telefon
Një ngjarje e pazakontë dhe e diskutueshme ka ndodhur në ndeshjen e Ligës së Parë të futbollit të vogël mes KF Forca dhe KF Butel, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën e gjykimit dhe funksionimin e sistemit në vend informon Tetovasot.
Në një moment kyç të takimit, me rezultatin 4:4, një aksion përfundon me goditje në shtyllë, ndërsa mbetet e paqartë nëse topi ka kaluar vijën fatale. Gjyqtarët fillimisht vendosin se nuk ka gol.
Megjithatë, pas një ndërprerjeje disa minutëshe, situata merr kthesë të papritur. Njëri nga gjyqtarët, Toshe Icev, afrohet te përzgjedhësi i përfaqësueses së futbollit të vogël, Gazmen Huseini, i cili ndodhej në tribunë. Pas kësaj, sipas dëshmitarëve, kërkohet që rasti të rishikohet përmes video-incizimit.
Edhe pse në këtë ligë nuk ekziston sistem zyrtar VAR, gjyqtarët shikojnë pamjet në telefon dhe, pas rreth 10 minutash ndërprerje, ndryshojnë vendimin duke akorduar gol.
Ky veprim ka shkaktuar reagime të forta, pasi konsiderohet ndërhyrje e jashtme dhe jashtë çdo protokolli zyrtar të gjykimit. Vendimi jo vetëm që ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes, por sipas shumë sportdashësve, dëmton edhe integritetin e garës dhe barazinë mes ekipeve.
Rasti ka hapur debat të gjerë mbi mungesën e standardeve dhe transparencës në ligat vendore, si dhe nevojën urgjente për rregulla të qarta dhe zbatim strikt të tyre.
Pritet reagim nga organet përkatëse sportive për të sqaruar këtë situatë dhe për të garantuar që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.TS
