Prokurorja Javorka Perlinqeviq ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Sipas Perlinqeviq, është vërtetuar se Naim Murseli ka vepruar për përfitim financiar apo moral, duke e simuluar një grabitje në të cilën viktima është trajtuar si “dëm kolateral”, ndërsa sipas pretendimeve të aktakuzës, ai ka marrë pjesë në organizimin dhe planifikimin e vrasjes.

Në seancë është theksuar se vrasja është kryer nga i akuzuari Granit Plava, i cili ka shtënë me armë që dyshohet se është siguruar përmes Naim Murselit, ndërsa një tjetër i akuzuar ka ndërmjetësuar në sigurimin e armës dhe kontaktin mes personave të përfshirë.

Ajo thekson se të akuzuarit ngarkohen edhe për moslajmërim të veprës penale dhe kryerësve të saj, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në kërkesën përfundimtare, Perlinqeviq i ka propozuar gjykatës shpalljen fajtorë të të akuzuarve, duke vlerësuar se veprimi, mënyra e kryerjes, sjellja pas ngjarjes dhe tentativat për manipulim publik rëndojnë pozitën e tyre, ndërsa sipas saj nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese.

Prokurorja ka kërkuar që të shqiptohet dënimi maksimal i paraparë për veprën penale “vrasje e rëndë”, respektivisht burgim i përjetshëm.

Vrasja e Liridonës, Prokurorja: Tre skenare të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit synojnë shmangien e përgjegjësisë penale
17 Prill 2026 | 10:41

Prokurorja Javorka Perlinqeviq, në fjalën përfundimtare, tha se pas zhvillimit të procedurës së provave, ku janë paraqitur të gjitha provat materiale të grumbulluara gjatë hetimit, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët relevantë që kishin njohuri lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe pas paraqitjes së mbrojtjes nga të akuzuarit, po përmbyllet një proces gjyqësor që, sipas saj, ka sqaruar një krim makabër – vrasjen e Liridona Ademajt Murseli, të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.

Perlinqeviq tha se në këtë fjalë përfundimtare fokusi do të jetë në faktet e paraqitura nga dëshmitarët dhe rrethanat e shqyrtuara gjatë gjykimit, dhe jo në procedurën paraprake.

Sipas saj, djali i madh, në prani të psikologut, ka deklaruar: “hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit ban”. Gjithashtu, ajo përmendi dëshminë e Leonardit, sipas së cilës fëmijët e kanë sqaruar qartë ngjarjen dhe nuk dëshirojnë të komunikojnë me babain e tyre, të akuzuarin Naim Murseli, duke refuzuar edhe thirrjet telefonike të mundësuara përmes Qendrës për Punë Sociale në Suedi.

Prokurorja theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, të cilat, sipas saj, paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale dhe bartje të fajit te të tjerët, duke e quajtur këtë “tre skenarë të ndryshëm të një ngjarjeje”.

Ajo shtoi se, sipas provave të administruara, i akuzuari Naim Murseli ka kaluar pasditen e ditës kritike me të akuzuarin Granit Plava, me të cilin dyshohet se ka blerë armën e përdorur në kryerjen e veprës, si dhe ka përdorur veturë të huazuar në atë periudhë. Sipas saj, këto rrethana nuk përputhen me deklarimet e mbrojtjes dhe analizat e videoincizimeve tregojnë lëvizje të koordinuara të automjeteve.

Po ashtu, Perlinqeviq përmendi se në qershor të vitit 2022 familja Murseli në Suedi kishte paguar një policë sigurimi në emër të viktimës Liridona Ademaj, dhe se sipas saj, pas kësaj, i akuzuari Naim Murseli i kishte kërkuar të akuzuarit Kushtrim Kokalla të gjejë mënyrën për vrasjen e saj./Betimi për Drejtësi

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume