Cristian Chivu ka vlerësuar karakterin e skuadrës së tij pas një tjetër përmbysjeje spektakolare ndaj Comos, duke theksuar se vetëm njw skuadwr e çmendur si Interi është në gjendje të rikuperojë dy herë nga disavantazhi 2-0 brenda një periudhe kaq të shkurtër. Interi arriti të përmbysë rezultatin edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, duke vazhduar formën e jashtëzakonshme që kishte treguar më herët në Serie A ndaj të njëjtit kundërshtar.

Trajneri rumun u ndal te kontributi i lojtarëve që u aktivizuan nga stoli, duke theksuar rëndësinë e tyre në suksesin e skuadrës. “Ne kemi një skuadër që ka luajtur shumë mirë që nga fillimi i sezonit, kështu që kur thirren, tregojnë se çfarë mund të bëjnë”, deklaroi Chivu, duke shtuar se “ata që erdhën nga stoli e kuptuan momentin dhe treguan guxim”. Ai përmendi veçanërisht performancën e lojtarëve si Diouf, Sucic dhe Pio Esposito.

Chivu foli edhe për situatën e Denzel Dumfries, duke zbuluar se mbrojtësi kishte probleme fizike dhe ishte i gatshëm vetëm për pak minuta lojë. “Ai ndjeu dhimbje në tendin, por ishte gati të provonte. Jam i kënaqur që shoh lojtarë të gatshëm të japin gjithçka për klubin”, tha trajneri, duke vlerësuar fleksibilitetin e ekipit në menaxhimin e situatave të vështira gjatë ndeshjes.

Në fund, trajneri i Interit theksoi objektivat e mëdha të sezonit, me skuadrën që kryeson bindshëm Serie A dhe ka siguruar finalen e Kupës së Italisë. “Ne e fituam vendin tonë këtu me punë të palodhur dhe jemi në një pozicion që na lejon të ëndërrojmë për titullin dhe trofeun”, u shpreh ai, duke shtuar: “Të përmbysësh një disavantazh 2-0 kundër Comos dy herë në 10 ditë, vetëm “Pazza Inter” mund ta bëjë këtë.”

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume