Gjenerata U16 e Shkëndijës po jeton një sezon për t’u mbajtur mend. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ismail Ismaili është shumë pranë shpalljes kampione, teksa këtë javë e pret një përballje vendimtare ndaj ndjekësit direkt, FK Makedonija Gjorce Petrov shkruan Tetovasot.
Me vetëm disa xhiro të mbetura deri në fund dhe një avantazh të konsiderueshëm prej 11 pikësh, kuqezinjtë nga Tetova kanë gjithçka në dorën e tyre. Një fitore në këtë duel praktikisht do ta vuloste titullin, duke kurorëzuar një sezon dominues në çdo aspekt – nga loja kolektive, te disiplina taktike dhe zhvillimi individual i lojtarëve.
Trajneri Ismaili nuk e fsheh kënaqësinë për atë që ka arritur skuadra e tij:

“Këta djem kanë treguar karakter, përkushtim dhe uri për sukses në çdo ndeshje. Jemi shumë afër objektivit tonë, por mbetemi të fokusuar deri në fund. Nuk ka vend për eufori para kohe – duhet ta mbyllim sezonin ashtu siç e kemi nisur: me fitore dhe disiplinë.”

Përtej rezultateve, suksesi i kësaj gjenerate është një reflektim i punës së vazhdueshme në akademinë e Shkëndijës. Koordinatori i grupmoshave, Erhan Selimi, thekson se trofetë janë të rëndësishëm, por jo qëllimi kryesor.

“Sigurisht që trofetë janë shpërblim për punën tonë dhe motivim për djemtë, por misioni ynë kryesor është zhvillimi i talenteve. Akademitë ekzistojnë për të krijuar lojtarë që nesër do të jenë pjesë e elitës së futbollit. Kjo gjeneratë ka potencial të jashtëzakonshëm dhe ne po punojmë që secili prej tyre të arrijë maksimumin.”

Ai shton se filozofia e klubit është e qartë:

“Rezultati është i rëndësishëm, por zhvillimi individual dhe edukimi futbollistik janë themeli. Ne duam të ndërtojmë lojtarë të kompletuar për futbollin në përgjithësi.”

Me një kombinim të rezultateve të shkëlqyera dhe një vizioni të qartë për të ardhmen, Shkëndija U16 jo vetëm që është pranë titullit kampion, por po dëshmon se është një “fabrikë” e vërtetë talentesh që premton shumë për vitet në vijim.Tetovasot

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume