KF Shkëndija U15 ka zhvilluar një tjetër ndeshje fantastike në kampionat, duke mposhtur me rezultat bindës 4:0 skuadrën e Forca Vardar informon Tetovasot. Të besuarit e trajnerit Ibrahim Luma dominuan plotësisht sfidën, duke treguar lojë cilësore, ritëm të lartë dhe efikasitet para portës.
Gjithçka u vendos që në pjesën e parë, aty ku Kuq e Zinjtë realizuan gola të bukur dhe kontrolluan totalisht lojën. Serinë e golave e hapi talenti Leard Salihi me një supergol spektakolar, ndërsa epërsinë e dyfishoi Miran Emini me një goditje të saktë me kokë. Para pushimit realizoi edhe Drin Ademi për avantazhin e thellë të tetovarëve.
Në pjesën e dytë, Shkëndija vazhdoi me të njëjtin intensitet dhe nuk lejoi kundërshtarin të marrë frymë. Golin e katërt dhe të fundit e realizoi Rejan Saiti, duke vulosur një fitore të madhe dhe plotësisht të merituar.
Pas ndeshjes, trajneri Ibrahim Luma u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës:
“Jam shumë i kënaqur me angazhimin dhe disiplinën e futbollistëve. Djemtë treguan karakter, cilësi dhe respektuan çdo detyrë taktike. Kjo fitore është rezultat i punës së vazhdueshme dhe përkushtimit në stërvitje. Më gëzon fakti që skuadra po rritet nga ndeshja në ndeshje.”TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume