Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një shtetasi të Kosovës, i cili dyshohet për veprën penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion, nga neni 300 paragrafi 2 lidhur me nenin 297 paragrafi 1 të Kodit Penal.

​I dyshuari, i moshës 76-vjeçare, po drejtonte një automjet transportues (kamion) të markës MAN me gjysmërimorkio me targa të Kosovës, përgjatë autostradës veriore të qytetit të Shkupit (unazës), në drejtim nga perëndimi në lindje.
​Gjatë lëvizjes, ai nuk u është përmbajtur rregullave të qarkullimit rrugor, duke rrezikuar kështu komunikacionin publik dhe duke vënë në rrezik jetën e njerëzve.

​Kur ka arritur në afërsi të nyjës qarkulluese në Mirkovc, ai nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit me vetitë dhe gjendjen e rrugës, dendësinë e trafikut dhe kushtet e tjera të qarkullimit, në mënyrë që të mund ta ndalonte mjetin në kohë përpara çdo pengese që mund ta parashikonte në ato rrethana.

​Në një moment, shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka kthyer majtas, me ç’rast ka goditur dhe shpuar rrethojën mbrojtëse metalike. Ai ka vijuar lëvizjen duke kaluar në korsinë e autostradës të destinuar për qarkullimin e automjeteve nga drejtimi i kundërt, ku është goditur ballas nga një veturë e markës “BMW”, e cila po lëvizte në drejtim nga lindja në perëndim.

​Si pasojë e përplasjes, vetura dhe kamioni janë përfshirë nga flakët. Nga ky aksident, në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë katër pasagjerët që ndodheshin në veturë.

​Duke qenë se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes si dhe mundësinë që i dyshuari të përsërisë veprën penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozimin për caktimin e masës së paraburgimit

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume