Shkruan: TetovaSot
Nuk e çelim hojën as kur na rrahin, as kur na fyejnë, as kur na dënojnë.
Dikur dinin të flisnin për gjithçka. Sot, kur klubi që përfaqëson krenarinë sportive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut goditet me një nga dënimet më të rënda në historinë e tij, nuk dëgjohet asnjë zë. Heshtje. Frikë. Kalkulim politik.
105 mijë euro gjobë. Katër ndeshje pa publik. Përjashtim nga Kupa e Maqedonisë.
Një goditje e rëndë për Shkëndijën e Tetovës, një klub që për vite me radhë ka mbajtur lart emrin e Tetovës dhe të shqiptarëve në arenën sportive. Një klub që ka sjellë emocione, trofe, krenari dhe përfaqësim atje ku shumë të tjerë kanë dështuar.
Por kur vijnë ditët e vështira, ata që rendin të fotografohen me fanellën kuqezi zhduken.
Kur Shkëndija shpallet kampione, të gjithë janë aty. Kur luan në Evropë, të gjithë bëhen tifozë. Kur ngre trofe, të gjithë krenohen me të. Por kur goditet, kur dënohet, kur sulmohet, papritur askush nuk ka asnjë fjalë.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja që po bëjnë mijëra tifozë:”Çele gojën o Bilall, dënohet klubi i zemrës tetovare – Shkëndija”
Askush nuk po kërkon amnisti për gabimet. Askush nuk po kërkon që rregullat të mos vlejnë. Por shumëkush po pyet me të drejtë se a vlejnë këto standarde për të gjithë njësoj?
Ky vend ka parë stadiume ku shqiptarët janë fyer me vite. Ka parë kore raciste, parulla nxitëse dhe urrejtje etnike.
Ka parë poshtërime publike ndaj shqiptarëve në tribuna dhe fusha sportive. Por rrallëherë opinioni ka parë reagime dhe dënime që kanë shkaktuar tërmetin që po shkakton sot vendimi ndaj Shkëndijës.
Prandaj revolta nuk vjen vetëm nga shuma e dënimit. Revolta vjen nga ndjesia se kur bëhet fjalë për Shkëndijën, matësi shpesh duket më i ashpër.
Dhe ndërsa Tetova pret një reagim, ata që sot janë në pushtet zgjedhin heshtjen. Ndoshta sepse është më komode. Ndoshta sepse nuk duan të përballen me federata e institucione. Ndoshta sepse klubi i zemrës së qytetit nuk sjell vota sa sjellin fotografitë e ceremonitë.
Por tifozët nuk harrojnë.
Ata i mbajnë mend të gjithë ata që shfaqen në ditët e festës dhe zhduken në ditët e stuhisë.
Prandaj sot, më shumë se një koment sportiv, kjo është një thirrje kundër heshtjes:
Çeleni gojën.
Kur dënohet Shkëndija, nuk dënohet vetëm një klub futbolli. Goditet një simbol që për dekada ka bërë krenarë shqiptarët dhe Tetovën.