Lidhja Shqiptare kërkoi nga Qeveria e RMV-së që Qendra Klinike të jetë prioritet strategjik me koncensus kombëtar
Prej më shumë se dy dekadash flitet për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup. Gjatë kësaj kohe janë shpenzuar mbi 10 milionë euro për studime, projekte, analiza, ekipe projektuese dhe honorare, ndërsa pas ndërprerjes së kontratës në vitin 2018 shteti u përball edhe me arbitrazhe ndërkombëtare, me kërkesa që arrijnë deri në 45,5 milionë euro për projektet në Shkup dhe Shtip, pa përfshirë shpenzimet për avokatë, ekspertiza dhe procedura gjyqësore.
Ndërkohë, pacientët dhe punonjësit shëndetësorë vazhdojnë të trajtohen dhe të punojnë në objekte të amortizuara, të papërshtatshme për mjekësinë moderne.
Së fundmi, Kryeministri Hristijan Mickoski propozoi ndërtimin e Qendrës së re Klinike në lokacionin pranë Arenës “Boris Trajkovski”, me lidhje nëntokësore me Spitalin “8 Shtatori”. Ky është një propozim që meriton debat profesional dhe publik.
Por një gjë është e padiskutueshme: Maqedonia nuk ka më kohë për projekte në letër. Qendra e re Klinike duhet të jetë prioritet kombëtar dhe projekt strategjik, i realizuar me konsensus dhe në interes të qytetarëve.
– Bekim Tateshi, Departamenti për Shëndetësi
– Lidhja Shqiptare –