Toshkovski: Parandalimi i dhunës tek të rinjtë kërkon reagim të shpejtë dhe përfshirje aktive të të rinjve
Shkup, 16 qershor – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mori pjesë në ngjarjen e nivelit të lartë për parandalimin e dhunës tek të rinjtë dhe në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Synimeve për Parandalimin e Dhunës tek të Rinjtë, e organizuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup informon Tetovasot.
Në këtë aktivitet, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, sektorit civil dhe organizatave rinore, u theksua nevoja për një qasje të përbashkët dhe të koordinuar në luftën kundër të gjitha formave të dhunës ndaj të rinjve, përfshirë edhe atë në hapësirën digjitale.
Toshkovski theksoi se parandalimi i dhunës nuk është një veprim i njëhershëm, por një proces i vazhdueshëm që kërkon përkushtim të përditshëm dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve.
“Vetëm përmes koordinimit të fortë ndërinstitucional dhe reagimit në kohë mund të krijojmë një mjedis më të sigurt për të rinjtë – në shkolla, në komunitet dhe në internet”, deklaroi ministri.
Ai nënvizoi se MPB-ja tashmë zbaton aktivitete të shumta parandaluese, përfshirë angazhimin e oficerëve kontaktues në dhe rreth shkollave, takime me këshillat e nxënësve, fushata edukative kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe punëtori për sigurinë në internet dhe luftimin e bullizmit kibernetik.
Sipas Toshkovskit, policia po forcon gjithashtu praninë e saj pranë shkollave dhe objekteve sportive, si dhe bashkëpunimin me klubet sportive për identifikimin dhe raportimin në kohë të rasteve të dhunës, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes.
Me nënshkrimin e Deklaratës së Synimeve, institucionet dhe organizatat partnere riafirmuan përkushtimin e tyre për krijimin e një mjedisi më të sigurt, më gjithëpërfshirës dhe më mbështetës për të rinjtë, të liruar nga dhuna dhe frika.
Tetovasot raporton se autoritetet dhe partnerët ndërkombëtarë e konsiderojnë përfshirjen aktive të të rinjve si një nga elementet kyçe për ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe më të qëndrueshme.TS




