Urim Saliu
Ka shumë mllef dhe pakënaqësi te qytetarët, përveç atyre që janë bërë pjesë e “kulacit” të pushtetit. Rreth tyre është krijuar një shtresë tjetër njerëzish që ushqehet me favore, poste apo privilegje dhe që janë shndërruar në mbrojtës të verbër të pushtetit. Ata përdorin propagandën, sulmet personale dhe etiketimet për të njollosur këdo që guxon të kritikojë partinë apo liderët e tyre.
Ky është një rreth i mbyllur që përpiqet të mbulojë dështimet dhe mungesën e rezultateve, vetëm për të vazhduar mbretërinë e vet politike. Por gjithnjë e më shumë po krijohet përshtypja se ky model po i afrohet fundit. Pakënaqësia po rritet, ndërsa propaganda po e humb fuqinë përballë realitetit që përjetojnë qytetarët çdo ditë.
Paradoksi më i madh është se për dobësimin e faktorit politik shqiptar nuk duket se meritën kryesore e kanë kundërshtarët politikë, por vetë partneritetet e krijuara në pushtet. Kryeministri ka arritur t’i zhveshë pothuajse tërësisht partitë shqiptare nga pesha e tyre politike, veçanërisht ato që janë pjesë e koalicionit qeveritar, duke i mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm dhe duke ua kufizuar hapësirën për veprim të pavarur.
Mllefi po grumbullohet. Dhe kur pakënaqësia grumbullohet për një kohë të gjatë, ajo zakonisht shndërrohet në reagim politik. Muajt që vijnë mund të sjellin zhvillime të rëndësishme edhe në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç po ndodh në shumë vende të rajonit. Sepse në fund, asnjë pushtet nuk rrëzohet nga opozita aq sa rrëzohet nga zhgënjimi i qytetarëve të vet.