Policia zbardh rastin e djegies së veturave diplomatike të Ambasadës bullgare, një person kallëzohet penalisht
Kallëzim penal për djegien e automjeteve diplomatike në Shkup
Policia e Shkupit ka zbardhur plotësisht rastin e djegies së dy automjeteve diplomatike në pronësi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup, ngjarje e cila ndodhi më 15 qershor 2026 informon Tetovasot.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në lidhje me veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, më 16 qershor 2026, Njësia për Punë Kriminalistike – Qendër dhe Bit Pazar ka ngritur kallëzim penal me procedurë urgjente kundër I.D.S. (44) nga Shkupi.
Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë incizime nga kamerat e mbikëqyrjes në disa lokacione, si dhe veshjet që i dyshuari kishte të veshura në momentin e kryerjes së veprës.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se i dyshuari, gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor, e ka pranuar kryerjen e veprës penale.
Rasti po trajtohet më tej në koordinim me organet kompetente të ndjekjes penale.TS