Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, iu drejtua ceremonisë përmbyllëse të projektit “Fondi Kulturor Rinor i Ballkanit Perëndimor”, organizuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), me mbështetjen e Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.
Në ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, të trupit diplomatik, punonjës të kulturës, organizata të shoqërisë civile, si dhe të rinj nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët prezantuan rezultatet e nismës rajonale trevjeçare të orientuar drejt përforcimit të bashkëpunimit kulturor rinor dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë.
Në fjalimin e tij, ministri Limani theksoi se projekti është dëshmi se kultura ka fuqinë të kapërcejë kufijtë, të lidhë njerëzit dhe të krijojë lidhje të qëndrueshme besimi dhe respekti.
“Vlera më e madhe e rajonit tonë nuk janë dallimet, por aftësia për t’i shndërruar ato dallime në pasuri, në dialog dhe në vizion të përbashkët për të ardhmen. Të rinjtë e Ballkanit Perëndimor treguan se bashkëpunimi është më i fortë se paragjykimet, ndërsa kreativiteti më i zëshëm se ndarjet” – porositi Limani.
Ai theksoi se nismat e mbështetura kanë rëndësinë që tejkalon kufijtë e prodhimit kulturor, pasi hapin hapësirë për dialog, mendim kritik dhe kuptim të diversitetit, duke kontribuar në ndërtimin e vlerave të përbashkëta në rajon.
Ministri rikujtoi se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve mbetet e përkushtuar në krijimin e politikave, të cilat, do t’i inkurajojnë të rinjtë të jenë qytetarë aktivë, krijues dhe bartës të ndryshimeve pozitive shoqërore.
“Investimi te të rinjtë është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjë një shoqëri. Qëllimi ynë është që të rinjtë të njihen jo vetëm si e ardhmja, por, si forca aktive që sot po i krijon ndryshimet” – theksoi Limani.
Ai konfirmoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për proceset rinore rajonale dhe iniciativat që nxisin mobilitetin, shkëmbimin kulturor dhe projektet e përbashkëta mes të rinjve të Ballkanit Perëndimor.
Në fund të fjalimit, ministri shprehu mirënjohje ndaj RYCO-s, Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, institucioneve, organizatave, artistëve dhe të rinjve që kontribuuan në realizimin e suksesshëm të projektit, duke theksuar se arritja më e madhe nuk janë aktivitetet e realizuara, por miqësitë e krijuara, besimi i ndërtuar dhe mesazhi i përbashkët se paqja, dialogu dhe bashkëpunimi nuk kanë alternativë.



