Aktivistët ekologjikë nga iniciativa “Stop për Usje” dhe qytetarë protestuan mbrëmjen e së hënës në Shkup, duke kërkuar që vendimi për rinovimin e lejes A të integruar për fabrikën e çimentos “Usje” të merret sipas standardeve evropiane të mbrojtjes së mjedisit, raporton Anadolu.

Protestuesit, të cilët marshuan nga Kuvendi deri te Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, dërguan mesazhe si: “Jo leje e re me rregulla të vjetra”, “Shëndeti para fitimit” dhe “Shkupi i qytetarëve, jo i industrisë”.

Organizatorët edhe në muajt e kaluar kanë organizuar aktivitete kundër ndotjes së ajrit.

Kërkesa për rinovimin e lejes është dorëzuar dhe publikuar më 22 maj në faqen e ministrisë, si dhe i është përcjellë autoriteteve lokale. Pas kësaj ka rrjedhur afati njëmujor për shqyrtimin e dokumentacionit dhe paraqitjen e vërejtjeve.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ka deklaruar se afati ligjor për dorëzimin e komenteve ka përfunduar më 22 qershor, ndërsa në javën e parë të korrikut pritet të mbahet debat publik për këtë çështje.

Sipas tij, procedura po zhvillohet sipas ligjit aktual, por leja do të rinovohet duke marrë parasysh Ligjin e ri për kontrollin e emetimeve industriale, i cili pritet të hyjë në fuqi në shtator të vitit të ardhshëm dhe parasheh standarde më të rrepta mjedisore.

Ministri gjithashtu ka njoftuar se po përgatitet një regjistër i kapaciteteve industriale me leje A të integruar dhe se operatorët do të kenë detyrim të raportojnë matjet, të cilat ministria do t’i publikojë në faqen e saj zyrtare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume