Dita Informuese LIFE në Gostivar: Hoxha dhe Rokas promovuan mundësitë e reja për financimin e projekteve mjedisore
Sot në Gostivar u mbajt Dita Informuese kushtuar programit LIFE – instrumentit kryesor financiar të Bashkimit Evropian për mbështetjen e projekteve në fushat e mjedisit jetësor, ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe energjisë së pastër.
Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut dhe Komunën e Gostivarit. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rokas, si dhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Në fjalën e tij, ministri Hoxha theksoi se vendi ynë është i pari në rajon që ka nënshkruar Marrëveshjen për pjesëmarrje në programin LIFE, gjë që ka hapur mundësi të reja për mbështetje financiare dhe teknike për projektet që lidhen me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Gjatë kësaj Dite Informuese u prezantuan thirrjet aktuale dhe mundësitë për aplikim në kuadër të programit LIFE. Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve, vetëqeverisjes lokale, sektorit civil dhe komunitetit të ekspertëve, me synim nxitjen e partneriteteve të reja dhe zhvillimin e projekteve cilësore për zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit jetësor.